Të paktën 3 persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në tentativën e radhës së banditëve për të hyrë brenda Bankës Qendrore në Haiti.
Policia e Haitit, vend i cili prej ditësh tashmë është përfshirë nga dhuna, bën me dije se persona të armatosur sulmuan Bankën e Republikës së Haitit dhe arritën të plagosnin një rojë, por pa mundur të hynin brenda saj.
Vetë drejtuesit e Bankës, përmes një reagimi në rrjetet sociale, falënderuan forcat e sigurisë që me profesionalizëm arritën të ruanin një ndër institucionet e fundit që funksionon në vend.
Prej javësh, Haiti është përfshirë nga dhuna, ku banda të armatosura liruan qindra të dënuar nga burgjet dhe detyruan kryeministrin në detyrë të jepte dorëheqjen.
Policia ka shtuar përpjekjet për të marrë kontrollin e kryeqytetit Port-au-Prince, i cili mbahet peng nga krimineli famëkeq Jimmy Cherizier, i njohur ndryshe me nofkën “Barbecue”. (A2 Televizion)