
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka deklaruar se Policia e Shtetit po përdor teknologjinë dhe pamjet filmike për të identifikuar personat që kanë kryer akte dhune gjatë protestave të ditëve të fundit.
Gjatë një deklarate për mediat, Demo bëri të ditur se policia po analizon qindra orë filmime nga burime të ndryshme, përfshirë kamerat e institucioneve publike dhe private, pamjet televizive, si dhe videot e publikuara në rrjetet sociale.
Sipas ministrit, procesi i identifikimit po përparon me shpejtësi falë teknologjisë, edhe në rastet kur protestuesit kanë qenë të maskuar.
“Ne kemi, në fakt, dita-ditës raste të cilat janë të identifikueshme, edhe kur protestuesit kanë fshehur pamjen e tyre nëpërmjet maskave. Ne përsëri kemi arritur që të identifikojmë këta protestues, të cilët kanë kryer akte dhune”, deklaroi Demo.
“Policia e Shtetit do të punojë çdo ditë, për aq kohë sa duhet, për të vënë përpara drejtësisë të gjithë ata që kanë shkatërruar pronën publike dhe kanë cenuar bizneset private”, u shpreh ministri. (A2 Televizion)