Policia italiane u përlesh me demonstruesit në qytetin verior të Bolonjës. Këto protesta të raportuar gjerësisht nga mediat italiane ndodhën si rezultat i vdekjes së një personi gjatë momentit të arrestimit nga ana e autoriteteve policore.
Abderrahim Fakir, një sipërmarrës i lindur në Marok, i cili drejtonte një biznes të vogël transporti dhe pastrimi, vdiq të dielën pasi policia u njoftua për të arrestuar një person që sillej agresivisht dhe dëmtoi një automjet, cituan mediat italiane. Pamjet e incidentit të filmuara nga një banor dhe të shpërndara gjerësisht në internet nxitën qindra njerëz të protestonin.
Demonstruesit marshuan nëpër Bolonja dhe më vonë u mblodhën në qendër të qytetit, ku mbesa e Fakirit, Yossra Fakir, iu drejtua turmës. Duke mbajtur lotët, Yossra Fakir tha se pjesëmarrja në demonstratë ishte një detyrë dhe një mënyrë për të qëndruar pranë familjes së saj dhe për të folur për dikë që nuk mund të fliste më, shkruan A2.
"Unë jam mbesa e tij më e madhe dhe për mua, të qenit këtu është një detyrë. Është mënyra ime për të qëndruar pranë familjes sime dhe për t'i dhënë zë dikujt që nuk mund të flasë më. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë të vërtetën për të dhe për familjen tonë, në mënyrë që askush tjetër të mos kalojë kurrë atë që kaloi ai. Ju falënderoj të gjithëve nga thellësia e zemrës sime. Faleminderit. Jemi këtu për të kërkuar të vërtetën dhe drejtësinë!”, tha Yossra Fakir, mbesa e viktimës.
Videoja tregonte Fakirin të shtrirë me fytyrë përtokë, ndërsa dy oficerë e mbanin të lidhur. Ai dëgjohej duke kërkuar vazhdimisht ndihmë dhe duke u përpjekur të merrte frymë, përpara se lëvizjet e tij të ndaleshin gradualisht. Incidenti shkaktoi reagime nga i gjithë spektri politik, me politikanë të opozitës që kërkonin llogaridhënie dhe koalicionin qeverisës që mbronte oficerët e përfshirë.
Prokurorët kanë hapur një hetim për incidentin. Ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi tha se kishte "besim të plotë" se hetimi do të përcaktonte faktet dhe do të sqaronte se çfarë kishte ndodhur.
Policia e Bolonjës tha se do t'u jepte hetuesve pamjet e kamerave të trupit nga oficerët që ndërhynë. Më vonë, shpërthyen përleshje midis demonstruesve dhe policisë së trazirave. Policia spërkati me ujë drejt protestuesve dhe qëlloi me bombola, të përshkruara nga AGTË si gaz lotsjellës, ndërsa ata lëviznin për të shpërndarë turmën.
Sipas raporteve të medias, oficerët thirrën shërbimet e emergjencës pasi mbërritën në lagjen verilindore të Pilastros pak pas mesditës, kur temperaturat tejkaluan 35 gradë Celsius. (A2 Televizion)