Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump nisi një sulm të ri të ashpër ndaj Volodymyr Zelensky , duke e quajtur atë një "diktator” që drejton pa zgjedhje. Pak orë pas konferencës për shtyp në të cilën bëri thirrje për zgjedhje, Donald Trump, në një postim në Truth Social, përsëri i referohet ndihmës që SHBA i ka dhënë Kievit dhe qëndrimit të Zelenskit ndaj SHBA-së dhe se ku kanë përfunduar paratë amerikane.
Trump madje nis një sulm personal ndaj presidentit ukrainas, duke e cilësuar atë si një "komedian mediokër".
Në postimin e tij, Trump pretendon se Zelensky "bindi" Uashingtonin të shpenzonte 350 miliardë dollarë për një "luftë të pafitueshme" dhe akuzoi Biden për dështimin për të balancuar kontributet financiare të aleatëve. Në të njëjtën kohë, ai përsëriti dyshimet e tij për menaxhimin e fondeve nga Kievi, duke pretenduar se Zelensky "pranoi se gjysma e parave që mori janë zhdukur".
POSTIMI I PLOTË:
Mendojeni pak: një komedian mesatarisht i suksesshëm, Volodymyr Zelensky, i bindi Shtetet e Bashkuara të Amerikës të shpenzojnë 350 miliardë dollarë për një luftë që nuk mund të fitohej, që nuk duhej të fillonte kurrë, por një luftë që, pa SHBA-në dhe "Trump", nuk do të mund ta zgjidhte kurrë. Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar 200 miliardë dollarë më shumë se Europa, ndërkohë që paratë e Evropës janë të garantuara, ndërsa SHBA-të nuk do të marrin asgjë. Pse "Gjumashi" Joe Biden nuk kërkoi barazim, duke qenë se kjo luftë është shumë më e rëndësishme për Evropën sesa për ne - ne kemi një oqean të madh e të bukur si ndarës?
Përtej kësaj, Zelensky pranon se gjysma e parave që i dërguam atij "MUNGON". Ai refuzon të realizojë zgjedhjet, ai është shumë poshtë në sondazhet në Ukrainë, dhe e vetmja gjë në të cilën ishte i zoti ishte "të luante" me Biden "si një violinë". Një diktator pa zgjedhje, Zelensky duhet të lëvizë shpejt, ose nuk do t'i mbetet asgjë.
Ndërkohë, ne po negociojmë me sukses përfundimin e luftës me Rusinë, diçka që të gjithë e pranojnë që vetëm “Trump” dhe administrata Trump mund ta bëjnë. Biden nuk u përpoq kurrë, Evropa dështoi të sillte paqen dhe Zelensky ndoshta dëshiron të mbajë “rubinetin e artë" nga rrjedhin paratë. Unë e dua Ukrainën, por Zelensky ka bërë një punë të tmerrshme, vendi i tij është shkatërruar dhe MILIONA njerëz kanë vdekur pa qenë e nevojshme - dhe e gjithë kjo vazhdon..." (A2 Televizion)