
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi të hënën se Izraeli po përballet me një “lloj izolimi” që mund të zgjasë me vite dhe nuk ka zgjidhje tjetër veçse të qëndrojë i vetëm.
Sipas mediave të huaja, komentet Netanyahu i bëri teksa zemërimi global për luftën gati 2-vjeçare në Gaza është në rritje.
Duke folur në një konferencë të ministrisë së financave, Netanyahu tha se ekonomia e Izraelit do të duhet të përshtatet me “karakteristikat autarkike”, duke u bërë më e vetëmjaftueshme dhe më pak e varur nga tregtia e jashtme.
“Është një fjalë që e urrej”, tha Netanyahu, duke shtuar se ishte ai që kishte sjellë një “revolucion të tregut të lirë në Izrael”.
Një nga industritë kryesore që përballet me izolimin është tregtia e armëve, tha ai, e cila mund ta detyrojë Izraelin të shmangë varësinë nga importet e armëve të huaja.
“Do të na duhet të zhvillojmë industrinë tonë të armëve, do të jemi si Athina dhe Sparta së bashku. Nuk kemi zgjidhje tjetër, të paktën për vitet e ardhshme kur do të na duhet të përballemi me këto përpjekje izolimi”, vijoi ai më tej, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)