Ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, ka sugjeruar që NATO të shqyrtojë vendosjen e një zone ndalim-fluturimi mbi Ukrainën. Propozimi i Sikorskit vjen pas incidentit të javës së kaluar kur dronët rusë hynë në hapësirën ajrore polake.
Dronët, të cilët ishin të paarmatosur, u rrëzuan nga avionët luftarakë dhe sistemet kundërajrore të NATO-s.
Në një intervistë me gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine, Sikorski theksoi se vendosja e një zone të tillë nuk mund të jetë një vendim i njëanshëm nga Polonia.
“Si NATO dhe BE ne mund ta arrijmë këtë, por nuk është diçka që Polonia mund ta vendosë vetë. Kjo mund të bëhet vetëm së bashku me aleatët tanë”, deklaroi ai.
Ministri i Jashtëm polak shpjegoi se mbrojtja e qytetarëve nga kërcënimet, të tilla si mbeturinat që bien, do të ishte më e madhe nëse do të kishte mundësinë e kapjes së dronëve dhe objekteve të tjera fluturuese para se të hynin në hapësirën ajrore kombëtare.
“Nëse Ukraina na kërkonte t’i rrëzonim mbi territorin e saj, kjo do të ishte një avantazh për ne. Nëse më pyet mua personalisht, duhet ta shqyrtojmë”, theksoi ai.
Diskutimi për një zonë ndalim-fluturimi u ngrit në vitin 2022, pas fillimit të pushtimit rus, me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky që shtyu për miratimin e saj. Megjithatë, aleatët e NATO-s e refuzuan atë nga frika e përballjes së drejtpërdrejtë me Rusinë. Propozimi aktual i Sikorsky duket se kufizohet ekskluzivisht në trajtimin e dronëve rusë që i afrohen kufijve të Ukrainës me shtetet e NATO-s.
Sipas Ministrisë së Brendshme Polake, një total prej 16 dronësh u zbuluan në pjesë të ndryshme të vendit gjatë incidentit të mërkurën e kaluar. Avionët luftarakë polakë dhe holandezë i kapën ato me ndihmën e forcave italiane, gjermane dhe shumëkombëshe të NATO-s.
"Forcat tona ajrore e zmbrapsën kërcënimin për shtatë orë", tha Sikorski, duke vënë në dukje se pala ruse dha dy shpjegime të ndryshme. I pari ishte se dronët kaluan kufirin gabimisht dhe se ata as nuk kanë aftësinë të arrijnë aq larg.
Nga ana e saj, Moska pretendoi se sulmi kishte në shënjestër vetëm territorin ukrainas, duke argumentuar se "asnjë objektiv në territorin polak nuk ishte planifikuar për shkatërrim" dhe se dronët e përdorur kanë një rreze veprimi deri në 700 kilometra. (A2 Televizion)