Një 19-vjeçar me origjinë nga Maqedonia e Veriut është arrestuar në Austri si i dyshuari kryesor për sulm terrorist gjatë koncertit të yllit amerikan të Pop-it, Taylor Swift në Vjenë. Zëri i Amerikës ka komunikuar me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut të cilët kanë konfirmuar për median e njohur një fakt të tillë.
Autoritetet e Shkupit kanë marrë udhëzime nga autoritetet austriake për kontrollit e 19-vjeçarit me origjinë nga Maqedonia e Veriut, bën me dije Zëri i Amerikës. Shkupi sipas përgjigjes dhënë Zërit të Amerikës “po vepron në bazë të kërkesës së parashtruar” nga autoritetet austriake.
Shtetasi austriak me origjinë nga Maqedonia e Veriut u arrestua në orët e para të së mërkurës gjatë një operacioni policor në shtëpinë e tij në Ternitz, një qytet afër kufirit hungarez. Ndërkohë mediat në Maqedoninë e Veriut theksojnë se i dyshuari quhet Beran Aliji, i lindur në Austri, por me origjinë nga Gostivari. Portali iu referua “tre burimeve të pavarura, të cilët kanë qasje në dokumente të besueshme”.
Autoritetet austriake bëjnë me dije se, adoleshenti, i cili kishte postuar një video në internet duke rrëfyer komplotin, la punën e tij më 25 korrik, duke u thënë njerëzve se ai "kishte plane të mëdha", u tha gazetarëve të enjten shefi i sigurisë publike Franz Ruf.
“19-vjeçari i arrestuar në Ternitz në orët e para të mëngjesit të djeshëm dha dorëheqjen nga puna më 25 korrik duke deklaruar gjithashtu se kishte plane të mëdha. Që atëherë, ai është fokusuar në përgatitjet për një sulm terrorist dhe i ka intensifikuar këto në përputhje me rrethanat. Aktivitetet përgatitore në shtëpinë në Ternitz u fokusuan në prodhimin e eksplozivëve. Ne sekuestruam substanca kimike, lëngje, mjete shpërthyese dhe pajisje teknike”, tha Franz Ruf, Shefi i Sigurisë Publike.
Mediat austriake raportuan se në planet e të dyshuarve, përfshihej përplasja e turmave të njerëzve me makine jashtë sallës së koncertit, para se të sulmonin me hanxhar dhe thika.
34 vjeçarja Taylor Swift, duhej të performonte në datat 8, 9 dhe 10 gusht në stadiumin Ernst-Happel të Vienës, i cili do të blindohej nga masat e sigurisë para vendimit të organizatorëve për të anuluar performancat. (A2 Televizion)