Hije skandali kanë mbuluar veprimtarinë e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës. Sipas një raporti të bërë publik nga media amerikane, The New York Times, ushtria izraelite miratori rregullat sekret të angazhimit në fillim të luftës në Gaza duke iu mundësuar komandantëve të urdhëronin sulme ndaj objektivave pavarësisht nga rreziku i rritur i viktimave civile.
Menjëherë pas sulmit të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit nga grupe personash të armatosur të udhëhequr nga Hamasi, ushtria u dha oficerëve të rangut të mesëm autoritetin për të goditur një gamë të gjerë objektivash ushtarake ku rrezikoheshin të vriteshin deri në 20 civilë, thekson New York Times.
Urdhri nënkuptonte, faktin që ushtria izraelite mund të synonte militantët e radhës ndërsa ata ishin në shtëpi të rrethuar nga të afërmit dhe fqinjët. Raporti i New York Times, bazohej në intervistat me më shumë se 100 ushtarë dhe zyrtarë, duke përfshirë më shumë se 25 persona që ndihmuan në zgjedhjen dhe verifikimin e objektivave.
Sulmi i udhëhequr nga Hamasi mbi komunitetet rreth Rripit të Gazës më 7 tetor 2023 vrau 1200 njerëz dhe pa më shumë se 250 të marrë si pengje në Gaza, sipas të dhënave izraelite. Fushata tokësore dhe ajrore e Izraelit si kundërpërgjigje ka vrarë më shumë se 45,000 persona dhe ka plagosur më shumë se 107,000, sipas shifrave të ministrisë së shëndetësisë të Gazës.
Përveç rritjes së numrit të viktimave civile që mund të rrezikoheshin në një sulm të vetëm, New York Times tha se ushtria parashikoi një kufi se deri ku mund të shkonte numri i civilëve të vrarë çdo ditë. Në disa raste, komanda e lartë ushtarake miratoi sulme që ata e dinin se do të rrezikonin deri në 100 jetë civile, tha New-York Times.
Media amerikane tha se ushtria "shpesh mbështetej në një model statistikor të papërpunuar për të vlerësuar rrezikun e dëmtimit të civilëve", kryesisht në varësi të vlerësimeve të përdorimit të celularit dhe jo mbikëqyrjes së gjerë të një ndërtese të vetme. (A2 Televizion)