Presidenti amerikan Donald Trump ka fluturuar me avionin privat të financierit Jeffrey Epstein, i dënuar si abuzues seksual, shumë më shpesh sesa ishte raportuar më parë.
Kjo mësohet nga një email i një prokurori të Nju Jorkut, i cili është pjesë e një grupi të ri dokumentesh për Epstein të publikuara të martën nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, shkruan A2.
Në një email të datës 7 janar 2020, prokurori, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, shkruante se të dhënat e fluturimeve tregonin se Trump kishte fluturuar tetë herë me avionin privat të Epstein gjatë viteve ‘90.
Të paktën katër prej këtyre fluturimeve përfshinin edhe Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtore e Epstein. Maxwell aktualisht po vuan një dënim prej 20 vitesh burg për ndihmën që i dha Epsteinit në abuzimin seksual ndaj vajzave të mitura.
Në një postim në rrjetet sociale në vitin 2024, Trump deklaroi se ai “nuk ka qenë kurrë në avionin e Epsteinit, as në ishullin e tij ‘budalla’, siç e cilësoi.
Sipas dokumentit, në një nga fluturimet, të vetmit tre pasagjerë ishin Epstein, Trump dhe një grua 20-vjeçare, emri i së cilës është mbuluar. Në dy fluturime të tjera, dy nga pasagjerët ishin gra që mund të shërbenin si dëshmitare të mundshme në çështjen kundër Maxwell. (A2 Televizion)