E menjëhershme dhe e stuhishme ishte prova se ajo që prodhoi tryeza e bujshme e Shenzhenit, mes tri superfuqive botërore, ishte një deklaratë paqeje vetëm në letër. Rusia nuk priti të zbardhej dita për të bombarduar Ukrainën me qindra raketa dhe dronë, vetëm disa orë pasi Vladimir Putin u zotua të hakmerrej fuqishëm për sulmin ndaj Urës së Krimesë.
Të paktën 8 persona humbën jetën dhe mbi 20 të tjerë u plagosën në atë që presidenti Volodimir Zelenski e cilësoi si valën më masive të sulmeve kundër vendit të tij. Siç bëri të ditur ai, ura të rëndësishme në kryeqytet dhe linja hekurudhore ishin vënë në shënjestër të bombardimeve, të cilat përfshinë 400 dronë dhe mbi 110 raketa balistike, disa prej të cilave me bomba thërrmuese.
“Të gjitha objektivat e goditura janë infrastrukturë e zakonshme civile, pra gjithçka që siguron drejtpërdrejt jetën e njerëzve: objektet energjetike, infrastruktura logjistike, urat mbi lumin Dniepër dhe objektet hekurudhore. Janë goditur, ndër të tjera, nënstacione elektrike dhe linja energjetike nga të cilat varen centralet bërthamore, si dhe lidhjet energjetike të Ukrainës me vendet fqinje të Bashkimit Evropian. Janë dëmtuar edhe banesa të zakonshme”, tha Zelensky.
Sulmet u përhapën në disa qytete dhe rajone, ndërsa sirenat e alarmit nuk pushuan gjatë gjithë natës. Tri urat e goditura në Kiev u mbyllën për qarkullimin dhe kryebashkiaku Vitali Klitschko u bëri thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet me makina në kryeqytet, përveç rasteve të domosdoshme. Sipas tij, 7 pjesëtarë të personelit mjekësor mbetën të plagosur nga sulmet.
Bombardimet nisën disa orë pasi liderët evropianë, përfshirë ata britanikë, francezë dhe gjermanë, deklaruan se ishin të gatshëm për negociata me Moskën për t'i dhënë fund luftës.
Në takimin e zhvilluar në Berlin, ku mori pjesë i ashtuquajturi “Koalicioni i të Vullnetshmëve”, ishin të pranishëm presidenti ukrainas Zelenski dhe të dërguarit e Trumpit. Jared Kushner deklaroi se SHBA-ja dëshiron të arrijë një marrëveshje me Evropën në krah, në një kohë kur po shtohen shqetësimet për një ujdi të negociuar mes Uashingtonit dhe Moskës, pas bisedimeve kokë më kokë mes Putinit dhe Trumpit. (A2 Televizion)