Disa prej mistereve më të mëdha të Amerikës do të bëhen publike. Presidenti Donald Trump urdhëroi zyrtarët që të bëjnë plane për të deklasifikuar dokumentet që lidhen me 3 vrasjet më të bujshmë në historinë e Shteteve të Bashkuara, atë të John F Kennedy, Robert F Kennedy dhe Martin Luther King Jr. Urdhri ekzekutiv thekson se familjarët e Kennedy dhe King, gjithashtu edhe populli amerikan, meritojnë transparencë dhe të vërtetën. “Është në interesin kombëtar publikimi i të gjitha dokumenteve pa asnjë vonesë”, lexohet në dekret.
Megjithatë shumë prej të dhënave të dosjes së vrasjes së ish presidentit John F Kennedy tashmë janë bërë publike. Urdhëri ekzekutiv kërkon që këshilltarët e sigurisë kombëtare të paraqesin një plan për presidentin për deklasifikimin e plotë të dokumenteve brenda 15 ditëve.
“Ka shumë njerëz që presin për këtë, prej vitesh, ndoshta dhe dekadash”, u shpreh Trump para gazetarëve në Zyrën e tij Ovale të Shtëpisë së Bardhë, duke shtuar se plotësisht gjithçka do të bëhet publike. Ish presidenti amerikan, John F Kennedy, u vra në Dallas në vitin 1963. Vëllai i tij, Robert F Kennedy, u vra gjatë garës për president në Kaliforni në vitin 1968, vetëm dy muaj pas Martin Luther King, liderit më të njohur amerikan për të drejtat civile, të cilit iu mor jeta në Memfis të Tennessee.
Ish-presidenti Kennedy u qëllua me armë nga Lee Harvey Osëald, një veteran i marinës që u arratis për në Bashkimin Sovjetik dhe që më pas ishte kthyer në SHBA. Megjithatë ka pasur shumë pikëpyetje dhe teori alternative për përfshirje të agjentëve të qeverisë, mafias dhe personazheve të tjerë famëkeq. (A2 Televizion)