
Revolta studentore e ka kthyer Ramën ën një kufomë politike. Këtë deklaroi gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, kreu demokrat Sali Berisha, duke shprehur mbështetjen për studentët protestues.
“Revolta studentore ka vazhduar e fuqishme. Partia Demokratike ka organizuar dhe organizon përsëri protesta kombëtare në mbështetje të studentëve dhe mund të them se goditjet që ka marrë Edi Rama nga revolta studentore e kanë bërë atë një kufomë politike krejtësisht të pashpresë, e kanë damkosur para shqiptarëve dhe mbarë botës”.
Ai bëri thirrje për bashkim të të gjithë forcave politike dhe qytetarëve në mbështetje të revoltës studentore.
“Ka qenë dhe do të jetë populli demokrat në mbështetje të studentëve, në mbrojtje të tyre. Që kur ka filluar revolta studentore, e cila është thirrur dhe njëherë nga Sindikata e Pavarur e Arsimit të Lartë, thirrje të cilës të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike në universitete, në shkolla të mesme dhe jashtë universiteteve u janë përgjigjur ndër të parët. Deputetët e Partisë Demokratike, drejtuesit e saj, në mënyrë konstante kanë marrë pjesë në to. Dhe përveç pjesëmarrjes si mbështetje, kanë bërë një mbrojtje efikase të studentëve nga policia, narkopolicia, nga proceset gjyqësore dhe të tjera. Janë mbi 600 studentë, të cilët kanë marrë mbrojtje ligjore nga zyra jonë ligjore. Ndaj dhe ne jemi parti proteste. Kemi lindur në protestë dhe do të jemi në këtë protestë. Jo me simbolet tona, në respekt të studentëve dhe pluralitetit të tyre, por në mbështetje të plotë. Dhe unë ftoj edhe njëherë të gjitha forcat politike opozitare, të gjithë qytetarët, t'i mbështesim studentët”, tha Berisha. (A2 Televizion)