Ukraina i kundërpërgjigjet sulmit vdekjeprurës të Rusisë. Ushtria e Kievit lëshoi disa dronë me municion ndaj 3 rajoneve kufitare ruse. Dhjetëra fluturake pa pilot janë rrëzuar në Rostov, theksojnë autoritetet e Moskës, duke konfirmuar se në Belgorod ka pasur shpërthime. Sulme ka patur edhe në rajonin rus të Voronezh.
Sipas njoftimeve, të paktën 4 persona janë vrarë dhe disa të tjerë u plagosën. Nga ana tjetër, Kremlini ka tentuar që të distancohet nga bombardimi në Kiev mbi një maternitet dhe në zona të tjera jetike. Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, pretendon se atë e goditi një raketë antiajrore, që sipas tij ka dështuar.
“Ju kërkoj që t’i shikoni deklaratat e ministrisë ruse të mbrojtjes, që përjashton absolutisht të ketë sulmuar shënjestra civilësh dhe konfirmon se ne po flasim për një sistem të dështuar antiajror. Ne vazhdojmë të këmbëngulim se nuk sulmojmë civilë. Bombardimet po kryhen vetëm ndaj infrastrukturës kritike, shënjestrave ushtarake që lidhen në një mënyrë apo tjetrën me fuqinë ushtarake të regjimit të Kievit”, shprehet Dmitry Peskov, zëdhënës i Kremlinit.
Kjo vjen në një kohë kur kryeministri i Indisë, Narendra Modi, po viziton Rusinë. Atij iu rezervua një pritje e ngrohtë nga presidenti Vladimir Putin. Ata vizituan dhe qendrën ruse bërthamore. Por presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski, kritikoi sjelljen e kryeministrit indian, duke e përkufizuar si “një goditje të fortë” përpjekjeve për paqen.
“Është një zhgënjim i madh që lideri i një prej demokracive më të mëdha në botë gjendet në Moskë në një ditë tragjedie”, u shpreh Zelenski. Kritika të forta kanë shkuar edhe në drejtim të kryeministrit hungarez. Thuajse 20 vende anëtare të Bashkimit Europian synojnë që të përballen me Viktor Orban pas misionit të tij të pakonsultuar për të vendosur paqen mes Rusisë dhe Ukrainë. Akuza kryesore që rëndon ndaj hungarezit ka të bëjë me tradhtinë. Sipas liderëve europianë, Viktor Orban me disa prej deklaratave të tij pranë Putinit, ka dalë kundër konkluzioneve të Këshillit të BE-së. (A2 Televizion)