Aeroporti i Mynihut në Gjermani u mbyll dhe anuloi më shumë fluturime të enjten në mbrëmje, pasi disa dronë u panë pranë hapësirës ajrore të tij.
Të paktën 17 fluturime u anuluan në Mynih, duke prekur gati 3,000 pasagjerë, teksa shumë fluturime të tjera u devijuan në qytetet më të afërta.
Ende nuk ka një konfirmim se nga kanë ardhur këta dronë, të cilët gjatë javës kanë mbyllur disa aeroporte në Evropë për motive sigurie.
Meqenëse ishte errësirë, nuk u konfirmua asnjë informacion mbi llojin, madhësinë apo origjinën e dronëve, tha zëdhënësi i Policisë Federale Stefan Bayer për gazetën Bild. Dronët u panë për herë të parë në orën 21:30 sipas orës lokale, dhe pastaj përsëri një orë më vonë, tha policia.
Pamjet e fundit të dronëve në të gjithë Bashkimin Evropian shkaktuan një samit të liderëve në Kopenhagen këtë javë.
20 dronë rusë kaluan në Poloni dhe avionë luftarakë rusë MiG-31 hynë në hapësirën ajrore të Estonisë në incidente të ndara të kohëve të fundit.
Aeroportet e Kopenhagenit dhe Oslos u detyruan të mbyllen pasi dronë të paidentifikuar u panë pranë tyre dhe hapësirave ajrore ushtarake.
Rusia ka mohuar çdo përfshirje, ndërsa autoritetet daneze thonë se nuk kishte prova se Moska ishte e përfshirë. (A2 Televizion)