Mbyllja e qeverisë amerikane, përse ndodh dhe çfarë ndikimesh ka në ekonomi?

Nga Rosalba Bejdo
2 Tetor 2025, 23:32 | Bota

Qeveria federale amerikane u mbyll në 1 tetor, pasi politikanët republikanë dhe demokratë dështuan të zgjidhin mosmarrëveshjen për buxhetin.

Kjo nënkupton se disa, por jo të gjitha, shërbimet amerikane janë pezulluar përkohësisht, dhe 40 përqind e fuqisë punëdore federale, rreth 750 mijë persona mund të dërgohen në shtëpi, pa marrë pagën e tyre, shkruan A2.  

Edhe pse përplasjet për buxhetin janë të zakonshme në politikën amerikan, kjo luftë për shpenzimet është veçanërisht e tensionuar, pasi Presidenti amerikan Donald Trump ka reduktuar drastikisht përmasat e qeverisë kombëtare që prej ardhjes në detyrë dhe ka sugjeruar se mund të përdorë ngërçin aktual për të bërë shkurtime të mëtejshme. 

Por, përse MBYLLET QEVERIA? 

Kongresi duhet të ndajë fonde për 438 agjenci qeveritare përpara datës 1 tetor, që është fillimi i vitit fiskal. Por, ligjvënësit rrallë e përmbushin këtë afat dhe zakonisht miratojnë ligje të përkohshme për financim, për të mbajtur qeverinë funksionale, ndërsa përfundojnë punën e tyre.

Nëse lejojnë që financimi të skadojë, agjencitë qeveritare duhet të ndalin çdo aktivitet që nuk konsiderohet “thelbësor”. Demokratët dhe Republikanët zakonisht përplasen mbi shpenzimet dhe nuk është e pazakontë që negociatat të zgjasin deri në momentin e fundit para skadimit të fondeve. Këto tensione janë rritur nën Presidentin Donald Trump. Që kur mori detyrën, ai ka shpërbërë disa agjenci qeveritare, ka mbikëqyrur largimin e qindra mijëra nëpunësve civilë dhe ka refuzuar të shpenzojë miliarda dollarë të miratuara nga Kongresi.

Republikanët e tjerë e kanë përshëndetur këtë qasje, edhe pse ajo cenon fuqinë e Kongresit mbi çështjet fiskale, ndërsa Demokratët nuk kanë arritur ta ndalin atë.

Ekspertja Rachel Snyderman shprehet: “Një mbyllje e qeverisë ndodh kur Kongresi nuk e ka përfunduar detyrën e tij për të miratuar buxhetin në kohë. Çdo vit, Kongresi duhet të miratojë një seri prej 12 projektligjesh për ndarjet buxhetore për të financuar një seri agjencish, programesh dhe aktivitetesh në të gjithë qeverinë federale. Megjithatë, kur nuk mund ta bëjë këtë, deri më 30 shtator, Neni një i Kushtetutës dhe Akti Kundër Mungesës së Financimeve diktojnë që agjencitë federale ndalohen të shpenzojnë paratë e taksapaguesve, se ato nuk janë të detyruara të financojnë këto shërbime. Dhe kështu, në atë rast, atëherë agjencitë qeveritare udhëzohen të mbyllen”. 

Republikanët kontrollojnë si Dhomën e Përfaqësuesve ashtu edhe Senatin, por atyre u duhen të paktën shtatë vota nga Demokratët në Senatin me 100 vende për të miratuar ligjin e shpenzimeve. Kjo i jep partisë në pakicë një farë ndikimi. Këtë herë, Demokratët këmbëngulin që çdo paketë shpenzimesh duhet të garantojë gjithashtu që subvencionet e zgjeruara të sigurimit shëndetësor në kuadër të Aktit të Kujdesit të Përballueshëm (Obamacare) të mos skadojnë në fund të vitit.

Republikanët thonë se janë të hapur për t’i zgjatur ato subvencione, por mendojnë se çështja duhet trajtuar veçmas.

Snyderman shpjegon: “Gjatë muajve të fundit kemi parë se administrata Trump ka përdorur disa nga kompetencat ekzekutive që i janë dhënë nëpërmjet Aktit për Kontrollin e Ndërprerjes së Shpenzimeve të vitit 1974, dhe kryesisht aftësinë e administratës për t’i kërkuar Kongresit rishikimin ose anulimin e fondeve që janë miratuar më parë nga Kongresi, me qëllim përmbushjen e objektivave dhe synimeve të reja politike. Kjo ka shkaktuar pak shqetësim te udhëheqësit e Kongresit nga të dyja palët, sepse mund të krijojë tension në raport me kompetencat e Kongresit për sa i përket kontrollit mbi financat publike”. 

Por, si ndikon mbyllja e qeverisë federale?

Sipas Shërbimit Kërkimor të Kongresit, kanë ndodhur 14 mbyllje që prej vitit 1981, shumë prej të cilave kanë zgjatur vetëm një ose dy ditë. Më e fundit ishte gjithashtu më e gjata, zgjati 35 ditë nga dhjetori 2018 deri në janar 2019, gjatë mandatit të parë të Trump, për shkak të një mosmarrëveshjeje mes presidentit dhe Kongresit lidhur me sigurinë kufitare. Qindra mijëra punonjës federalë do të dërgoheshin në pushim pa pagesë dhe një gamë e gjerë shërbimesh mund të ndërpriten – nga mbikëqyrja financiare te pastrimi i mbeturinave në parqet kombëtare.

Punonjësit e tjerë të konsideruar thelbësorë do të vazhdonin punën, por edhe ata pa pagesë. Në të kaluarën, punonjësve federalë u është paguar më vonë koha pa punë. Mbylljet që zgjasin vetëm disa ditë kanë pak ndikim praktik, sidomos nëse ndodhin gjatë fundjavës, por ekonomia më gjerë mund të dëmtohet nëse punonjësit federalë fillojnë të humbasin pagat pas dy javësh, shkruan A2.

Sipas Zyrës së Buxhetit të Kongresit, mbyllja e viteve 2018-2019 i kushtoi ekonomisë rreth 3 miliardë dollarë, ose rreth 0.02% të PBB-së. Këtë herë, një mbyllje e zgjatur do të krijonte edhe më shumë shqetësim, pasi luftërat tregtare të Trump dhe përplasjet me Rezervën Federale tashmë kanë krijuar pasiguri në ekonominë globale.

“Treguesi më i rëndësishëm i kostos ekonomike dhe fiskale të një mbylljeje (shutdoën) është kohëzgjatja e saj. Pra, nëse do të kishim një mbyllje që zgjat një ditë ose disa ditë, nuk mendoj se kjo do të shkaktonte ndonjë dëm të madh ekonomik. Por kur patëm mbylljen 35-ditore nga dhjetori i vitit 2018 deri në janar 2019, humbëm 3 miliardë dollarë në rritje ekonomike që nuk mundëm t’i rikuperonim. Dhe kjo tregon qartë dhimbjen ekonomike që këto mbyllje mund të shkaktojnë për shkak të mosmarrëveshjeve politike”, deklaroi Snyderman. 

Gjatë mbylljeve të mëparshme, kemi parë ndërprerje në dhënien e kredive për fermerët dhe në programet për zhvillimin rural. Disa nga ato programe për trajnimin dhe mbështetjen e veteranëve gjithashtu janë prekur. Madje, edhe ndihma për qira për amerikanët me të ardhura të ulëta është ndikuar. Kemi parë edhe mbylljen e parqeve kombëtare, çka ka ndikuar negativisht në turizmin në të gjithë vendin.

Dhe sigurisht, kjo ka pasur një efekt të madh tërthor mbi ekonomitë lokale. Çdo departament dhe agjenci ka një plan emergjent për të përcaktuar cilët punonjës duhet të vazhdojnë punën pa pagesë. Gjatë mbylljes së viteve 2018-2019, rreth 800,000 nga 2.2 milionë punonjësit federalë u dërguan në pushim. Gjatë asaj mbylljeje, administrata Trump i mbajti 63 parqet kombëtare të hapura, megjithëse tualetet publike dhe zyrat e informacionit u mbyllën dhe shërbimet e largimit të mbeturinave u pezulluan.

Mbylljet për shkak të buxhetit janë një aspekt unik i politikës amerikane. Ato janë bërë mjaft të zakonshme gjatë 50 viteve të fundit, me tre që ndodhën gjatë mandatit të parë presidencial të Trump-it.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos