Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka dënuar fuqishëm shkeljen e hapësirës ajrore të Polonisë nga dronët rusë të mërkurën, duke e cilësuar incidentin si një veprim “të papërgjegjshëm”.
“Europa qëndron në krah të Polonisë”, deklaroi Von der Leyen para anëtarëve të Parlamentit Europian, duke theksuar se Bashkimi Europian është duke përgatitur paketën e 19-të të sanksioneve ndaj Rusisë. Sipas saj, një nga qëllimet kryesore është përshpejtimi i shkëputjes së vendeve anëtare nga karburantet ruse.
“Mesazhi i Putinit është i qartë, edhe përgjigja jonë duhet të jetë e qartë. Duhet më shumë presion që Rusia të ulet në tryezën e bisedimeve. Na duhen më shumë sanksione. Po punojmë për paketën e 19-të në koordinim me partnerët. Po shohim veçanërisht mënyrën për t’u shkëputur më shpejt nga përdorimi i karburanteve ruse. Po shohim flotën hije dhe vendet e treta”, shtoi ajo, përcjell A2 CNN.
Kryeministri polak Donald Tusk deklaroi të mërkurën se një numër i madh dronësh rusë kishin shkelur hapësirën ajrore të vendit. Ai sqaroi se dronët, që përbënin kërcënim të drejtpërdrejtë, janë rrëzuar nga forcat polake. Kjo ngjarje shënon rastin e parë që një vend anëtar i NATO-s ka hapur zjarr në kuadër të luftës së nisur nga Rusia në Ukrainë. (A2 Televizion)