Dronë të Rusisë hynë në hapësirën ajrore të Polonisë në orët e para të së mërkurës në atë që autoritetet në Varshavë e cilësuan një akt të rëndë agresioni.
Komanda e ushtrisë polake bëri të ditur se dronët kishin shkelur në mënyrë të përsëritur hapësirën ajrore të shtetit anëtar të NATO-s, gjatë një vale sulmesh në Ukrainën perëndimore, por se këto shkelje kishin përfunduar.
Siç thuhet, objektet ishin rrëzuar nga forcat e armatosura polake, duke shënuar herën e parë që një anëtar i NATO-s angazhohet direkt kundër aseteve ruse në territorin e vet qe prej fillimit të luftës.
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, u shpreh: “Hapësira ajrore e NATO-s u shkel nga një numër i madh dronësh rusë. Ata që përbënin kërcënim u qëlluan nga pilotët polakë të NATO-s. Me gjasë bëhet fjalë për një provokim në shkallë të gjerë nga ana e Moskës. Është hera e parë që dronët rusë rrëzohen mbi territorin e një shteti anëtar të NATO-s. Aleatët tanë po e trajtojnë situatën me shumë seriozitet”. (A2 Televizion)