“Duam Bregun Perëndimor”, Arabia Saudite paralajmëron Izraelin për sulmet në Gaza

Nga Erjon Dervishi
11 Nëntor 2024, 23:16 | Bota

Banorët nuk gjejnë paqe. Kjo pasi ushtria izraelite ka kryer një tjetër masakër, duke vrarë 11 persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë. Këtë herë, objektivi i sulmit ishte kampi Nuseriat në Gaza, shkruan A2 CNN.

Banorët thanë se tanket izraelite hapën zjarr teksa u futën në zonën e kampit, një nga tetë vendet më të rëndësishme të refugjatëve të Rripit të Gazës, duke shkaktuar panik në mesin e popullatës dhe familjeve të zhvendosura. Dhjetëra mijëra banorëve palestinezë u është thënë të evakuojnë zonat, duke nxitur frikën se ata mund të mos lejohen kurrë të kthehen.

Shanset tashmë të pakta për një armëpushim u zvogëluan më tej në fundjavë, kur ndërmjetësi nga Katari tha se po pezullonte përpjekjet e tij derisa Izraeli dhe Hamasi të shfaqnin vullnet më të madh për të arritur një marrëveshje.

Sakaq, udhëheqësit e Arabisë Saudite, Sirisë, Egjiptit dhe Autoritetit Palestinez u takuan në Riad për një samit arab dhe islamik mbi situatën në Gaza dhe Liban, me qëllim të unifikimit të vizioneve dhe qëndrimeve. Princi i Kurorës saudit, Mohammed bin Salman, tha në fjalimin e tij të hapjes se “Mbretëria ripërsërit thirrjen dhe refuzimin kategorik të genocidit të kryer nga Izraeli kundër popullit vëlla palestinez”.

“Mbretëria ripërsërit thirrjen dhe refuzimin kategorik të genocidit të kryer nga Izraeli kundër popullit vëlla palestinez, i cili ka marrë jetën e më shumë se 150 mijë martirëve, të plagosurve dhe të zhdukurve, shumica e të cilëve janë gra dhe fëmijë. Ne konfirmojmë se krimet e Izraelit kundër të pafajshmëve dhe shkelja e shenjtërisë së xhamisë së bekuar Al-Aksa dhe minimi i rolit kryesor të Autoritetit Kombëtar Palestinez në të gjitha territoret palestineze, minojnë përpjekjet që synojnë marrjen e të drejtave legjitime të palestinezëve, popullit dhe vendosjes së paqes në rajon”, tha Bin Salman.

Ndërkohë, fitorja e Donald Trump në SHBA, ka rritur pritshmëritë e krahut ekstremist izraelit për të vijuar pushtimet në Bregun Perëndimor. Është Ministri i Financave të Izraelit, Bezalel Smotrich, i cili ka bërë më dije se pas fitores elektorale të Donald Trump “ka ardhur koha” për të aneksuar Bregun Perëndimor. Fitorja e Trump sjell gjithashtu një mundësi të rëndësishme”, tha Smotrich, duke shtuar se “2025 është viti i sovraniteti mbi Judenë dhe Samarinë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos