Vladimir Putin mohon të ketë zhvilluar një telefonatë me Donald Trump. Kështu raporton zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov, që i konsideron raportimet e mediave ndërkombëtare “një shpikje”.
“Bëhet fjalë për informacione false”, nënvizoi zëdhënësi i Presidentit të Rusisë, që shton se “nuk ka ende plane specifike për kontakte mes Putinit dhe Trump”.
Inteligjenca e Rusisë pretendon se Departamenti Amerikan i Shtetit po punon për të rrëzuar nga pushteti “arrogantin” Volodymyr Zelensky, përcjell A2 CNN. Kështu raportohet nga mediat në Moskë, që sipas burimeve të tyre, Uashingtoni po vlerëson mundësinë e këshillimit të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Ukrainë gjatë vitit të ardhshëm.
Donald Trump Junior është tallur me Zelenskin duke shkruar në rrjete sociale se 38 ditë kohë përpara se të humbasë “paratë e xhepit”, thënë ndryshe ndihmat amerikane në përballimin e luftës.
Ndërkohë, në Ukrainë ka panik, jo për këto raportime, por për faktin se Rusia ka ngritur në ajër bombarduesit e fuqishëm strategjikë Tupolev. Shpërthime të fuqishme janë raportuar në disa rajone, ndërsa flitet dhe për viktima e të plagosur. “Forcat e armatosura ruse po mbledhin raketa në hangarë të aeroporteve strategjikë të aviacionit dhe mund të jenë duke u bërë gati për bombardime masive në Ukrainë”, është alarmi i lëshuar nga një anëtar i Këshillit për Sigurinë dhe mbrojtjen kombëtare të Ukrainës.
Nga ana tjetër, Moska pretendon se ka ndaluar një sulm masiv të Kievit dhe se ka rrëzuar një total prej 96 dronësh. (A2 Televizion)