
Administrata Trump ka tërhequr rreth 30 ambasadorë dhe diplomatë të lartë amerikanë në misionet jashtë vendit. Kështu raporton media britanike The Guardian duke cituar burime diplomatike. Ky veprim është pjesë e një procesi më të gjerë për të promovuar zyrtarë të administratës që janë besnikë ndaj politikave të reja të Shteteve të Bashkuara.
Kjo tërheqje është e pazakontë, pasi diplomatët e karrierës zakonisht mbeten në pozicionet e tyre pas ndryshimeve të administratës, duke ruajtur neutralitetin politik.
Megjithatë, qeveria Trump pati premtuar më parë se do të largonte atë që e quante “deep state” dhe kjo lëvizje është cilësuar nga kritikët si një pastrim i profesionistëve të shërbimit civil, përfshirë diplomatët e lartë jashtë vendit.
Rajoni më i prekur nga tërheqjet ishte Afrika, ndërsa u prek dhe Ballkani Perëndimor, me tërheqjen e ambasadorëve nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha për “The Guardian” se “ambasadori është përfaqësues personal i Presidentit, dhe Presidenti ka të drejtë të ketë individë në këto vende që përkrahin agjendën ‘America First’.” (A2 Televizion)