
Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka emëruar një të dërguar të posaçëm për Groenlandën duke krijuar kësisoj tensione të reja.Danimarka, së cilës i përket ishulli gjigant me pasuri nëntokësore, kërkon shpjegim duke thirrur ambasadorin e SHBA-së.
Pas emërimit të një të dërguari të poçëm të SHBA-së për Groenlandën, ministri i Jashtëm i Danimarkës Lars Lökke Rasmussen deklaroi në televizionin TV2 , se do të thërrasë për shpjegime ambasadorin e SHBA-së Ken Howery.
Rasmussen më parë përmes një deklarate të bërë publike nga agjencia e lajmeve AFP i bëri thirrje SHBA-së, që të respektojë sovranitetin e Danimarkës. Qeveria e tij këmbëngul, që "kushdo – përfshi edhe SHBA – duhet të tregojë respekt për integritetin territorial të Danimarkës", ka deklaruar Rasmussen. Ai tha, se "është shumë i indinjuar" për emërimin e një të dërguari për Groenlandën dhe e quajti këtë hap "krejt të papranueshëm". Ditët e ardhëshme ambasadori i SHBA-së do të thirret në Ministrinë e Jashtme të Danimarkës, për t‘i dhënë atij një "shpjegim" lidhur me këtë emërim.
Kryeministri i Groenlandës: Nuk mund të aneksosh një vend tjetër
Kryeministri i GroenlandësJens-Frederik Nielsen fillimisht nuk shprehu ndonjë indinjatë. Për këtë nuk ka asnjë arsye, shkruan ai në Facebook. Emërimi i një të ngarkuari të posaçëm nuk ndryshon asgjë në faktin, se Groenlanda e ka vet në dorë fatin e saj. "Ne bashkëpunojmë me kënaqësi me vende të tjera, edhe me SHBA-në, por kjo gjithmonë duhet të bëhet me respekt për ne, për vlerat dhe dëshirat tona", shkruan Nielsen. "Ne do ta përcaktojmë vet të ardhmen tonë. Groenlanda është vendi ynë."
Por më vonë në një deklaratë të përbashkët me kryeministren daneze Mette Frederiksen ai kërkoi ruajtjen e integritetit territorial të Groenlandës. "Ne e kemi thënë njëherë. Tani po e themi sërish. Kufijtë e vendeve dhe sovraniteti i shteteve janë të ankoruara në të drejtën ndërkombëtare", theksuan të dy kryeministrat. "Këto janë parime bazë. Nuk mund të aneksosh një vend tjetër." Groenlanda u përket groenlandezëve dhe SHBA nuk mund ta marrin atë.
Trumpmuajt e fundit në mënyrë të përsëritur ka kërcënuar me marrjen e territorit ishull me pasuri nëntokësore që i përket Danimarkës. Të dielën (20.12.2025) ai në platformën e tij Truth Social komunikoi emërimin e Jeff Landry, guvernator i shtetit të Luizianës, si të ngarkuar për Groenlandën. (A2 Televizion)