Pas atentatit ndaj aktivistit amerikan dhe personit të besuar të Donald Trump, Charlie Kirk, i dyshuari është arrestuar. Lajmi është konfirmuar në një konferencë për shtyp nga FBI. Ishte Presidenti amerikan i cili fillimisht njoftoi arrestimin, dhe më vonë FBI konfirmoi se i dyshuari i kërkuar ishte marrë në paraburgim. "E kemi kapur", tha guvernatori i Utah-ut, Spencer Cox, në një konferencë për shtyp.
Ai është një 22-vjeçar nga shteti amerikan i Utah-ut. Emri i të dyshuarit është Tyler Robinson, njoftoi Guvernatori i Utah-ut, Cox. Një anëtar i familjes së të dyshuarit kontaktoi një mik të familjes. Ky mik më pas kontaktoi zyrën e sherifit dhe i informoi oficerët se Robinson kishte rrëfyer ose kishte lënë të kuptohej se kishte kryer vrasjen, shkruan A2 CNN.
Robinson është bërë më politik në vitet e fundit, tha Cox. Në një darkë, ai përmendi performancën e Charlie Kirk në Universitetin e Utah dhe tha gjithashtu se i hidhte poshtë qëndrimet politike të Kirk. FBI-ja sekuestroi armën e vrasjes dhe karikatorët e papërdorur.
"Në më pak se 36 orë, 33 për të qenë të saktë. Falë gjithë ndikimit të qeverisë federale dhe udhëheqjes me partnerët këtu në shtetin e Utah-ut dhe Guvernatorin Cox, i dyshuari u kap në një periudhë historike kohore. Dhe dua të theksoj atë që tha Guvernatori Cox. Kjo nuk do të kishte qenë e mundur pa ju, median dhe ju, publikun. Kjo është arsyeja pse e bëmë kaq publik, kaq shpejt, dhe jemi kaq transparentë, dhe jemi të përkushtuar ndaj kësaj transparence”, tha Kash Patel, Drejtor i FBI-së.
I dyshuari në rastin Kirk u kërkua intensivisht për ditë të tëra. FBI publikoi foto dhe një video që tregonte të dyshuarin në arrati. Policia federale ofroi gjithashtu një shpërblim prej 100,000 dollarësh (pak më shumë se 85,000 euro) për informacion që çon në kapjen e autorit të krimit.
Charlie Kirk, një podkaster 31-vjeçar dhe mbështetës i Presidentit të SHBA-së Trump, u qëllua për vdekje të mërkurën gjatë një shfaqjeje në një universitet në Utah. Kirk ishte bashkëthemelues i organizatës Turning Point USA dhe konsiderohej zëri i Trump për të rinjtë. (A2 Televizion)