Koreja e Veriut po dënon me vdekje shumë njerëz, përfshirë 4 persona që janë kapur duke parë dhe shpërndarë filma dhe serialë të huaj. Zbulimi shokues është bërë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara përmes një raporti, përcjell A2 CNN.
Shteti në diktaturë, që mbetet gjerësisht i shkëputur nga bota, po angazhon njerëzit e tij edhe në më shumë punë krahu të detyruar, ndërsa kufizon liritë e tyre, thekson raporti. Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka zbuluar se gjatë dekadës së kaluar, Koreja e Veriut ka ashpërsuar kontrollin “mbi të gjitha aspektet e jetës së banorëve”.
“Asnjë popullatë tjetër nuk jeton nën kufizime të tilla në botë sot”, përmbyllet raporti, duke shtuar se spiunimi dhe mbikëqyrja janë bërë fenomene më të përhapur, pasi ndihmohen edhe nga avancimi i teknologjisë. Komisioneri i OKB për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, thotë se nëse kjo situatë vazhdon, koreano-veriorët do t'i nënshtrohen më shumë vuajtjeve, shtypjes brutale dhe frikës që kanë duruar për kaq gjatë.
Raporti, që bazohet në më shumë se 300 intervista me njerëz që i kanë shpëtuar regjimit të Kim Jong un në 10 vitet e fundit, zbulon se dënimi me vdekje po përdoret më shpesh, ndërsa të paktën 6 ligje të reja më të ashpra janë vënë në zbatim për të lejuar pushkatimet. Një prej krimeve që tani dënohet me vdekje është ajo për shfaqje të huaja, apo për shikimin dhe shpërndarjen të përmbajtjeve mediatike të huaja si filmat, serialet apo dokumentarët. (A2 Televizion)