Shpërthime të forta janë dëgjuar në Iran, ndërsa lufta ka hyrë në ditën e 10. Numri i të vdekurve ka shkuar në mbi 1255 dhe afërsisht 12 mijë të plagosur. Retë e zeza mbi Teheran nuk kanë errësuar vetëm qiellin, por kanë vënë hije mbi marrëdhënien mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Sulmi ndaj depove të karburantit po krijon fërkime midis aleatëve.
Sipas medias Axios, administrata amerikane ka frikë nga rritja e çmimeve të naftës dhe, siç pohon një burim anonim, është “e tmerruar” nga vala e fundit e bombardimeve izraelite. Pavarësisht krisje, vendimi se kur do të përfundojë lufta në Iran do të “ndahet” me kryeministrin Benjamin Netanyahu. Këtë e konfirmoi presidenti amerikan, Donald Trump, duke folur për Time of Israel.
“Irani do ta kishte shkatërruar Izraelin dhe gjithçka përreth tij. Ne punuam së bashku dhe shkatërruam një vend që donte të shkatërronte Izraelin”, theksoi ai.
Por lufta vjen dhe më një kosto. Java e parë e fushatës amerikane kundër Iranit kushtoi afërsisht 6 miliardë dollarë, 4 miliardë dollarë nga të cilat u shpenzuan për municione dhe për të neutralizuar kërcënimet raketore iraniane, thanë zyrtarët e Pentagonit para Kongresit.
Sipas udhëheqjes së Komandës Qendrore të SHBA-së, brenda dhjetë ditësh ushtria amerikane goditi mbi 4 mijë objektiva. Teksa lufta i afrohet europës, Turqia po merr masa mbrojtëse.
Presidenti Erdogan dha urdhër për vendosjen e gjashtë avionëve luftarakë F-16 në Qipron veriore pasi një dron goditi bazën në ishull. Sulme, shpërthime dhe të lënduar, janë raportuar në Izrael, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrein dhe Katar. (A2 Televizion)