Amerika vendos sanksione ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Presidenti Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv, me të cilin shënjestron organin e drejtësisë të Kombeve të Bashkuara, të cilin e akuzon për “veprime të paligjshme dhe të pabaza kundër Amerikës dhe aleatit të saj të afërt, Izraelit”.
Sanksionet përfshijnë kufizime financiare dhe të vizave për individët dhe familjarët e tyre që ndihmojnë Gjykatën Ndërkombëtare Penale në hetimin e shtetasve amerikanë apo aleatëve.
Nëntorin e kaluar, ky organ i drejtësisë me seli në Hagë lëshoi një urdhërarrest për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, mbi dyshimet për krime lufte dhe kundër njerëzimit në dëm të palestinezëve në Gaza. Gjithashtu, kërkon edhe arrestimin e një lideri të Hamasit.
Izraeli ka kundërshtuar me forcë pretendimet dhe dyshimet e ngritura nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, pavarësisht se gjykatës e Hagës theksojnë se kanë prova të besueshme që Netanahu, ish-ministri i tij i Mbrojtjes, Yoav Gallant dhe Mohammed Deif i Hamasit, që tashmë nuk jeton, kanë “përgjegjësi penale për krime lufte dhe kundër njerëzimit”.
Gjykata Ndërkombëtare Penale ka reaguar duke dënuar vendimin e Presidentit Trump për sanksionet kundër stafit. “Gjykata qëndron e palëkundur me personelin e saj dhe zotohet të vazhdojë të garantojë drejtësi dhe shpresë për miliona viktima të pafajshëm të mizorive përreth botës”, lexohet në një reagim nga Haga.
Gjykata Ndërkombëtare Penale është një institucion global me fuqi për të shqyrtuar çështje të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe ato të luftë. Në vitet e fundit, ka lëshuar urdhërarrest edhe për presidentin rus, Vladimir Putin, për krime lufte në Ukrainë, liderëve talebanë për persekutimin e vajzave dhe grave në Afganistan dhe ka dënuar kriminelin serb, Sllobodan Millosheviç për krimet e luftës dhe kundër njerëzimit në Kosovë. (A2 Televizion)