Raketat përdoren si në mënyrë ofensive, për të goditur objektiva, ashtu edhe në mbrojtje, për të ndërprerë sulmet iraniane.
Burime për prestigjiozen amerikane Wall Street Journal theksojnë se në Uashington ka shqetësime në lidhje me numrin e raketave që i kanë mbetur ushtrisë amerikane.
Sipas Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, mund të duhen nga tre deri në pesë vjet për prodhimin e një rakete të re, në varësi të llojit të raketës. Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni po u bëjnë presion kontraktorëve të mbrojtjes që ta përshpejtojnë këtë proces, por prodhimi mund të rritet vetëm deri në një nivel të caktuar. Prodhimi i një rakete është shumë më i ndërlikuar sesa prodhimi i një kositëseje bari.
“Qeveria nuk dëshiron të zbulojë se sa raketa i kanë mbetur, pasi nuk dëshiron t’i tregojë Iranit, Rusisë, Kinës apo Koresë së Veriut se Shtetet e Bashkuara mund të kenë dobësi. Për të qenë të qartë, këto janë shifra që qeveria nuk dëshiron t’i publikojë kurrë, madje as në kohë paqeje.
Stoqet e municioneve ruhen me kujdes. Në një shenjë të epokës në të cilën ndodhemi, nëse u kërkoni platformave të inteligjencës artificiale të profilit të lartë të vlerësojnë stokun e mbetur të raketave amerikane, do të merrni një përgjigje. Sigurisht, ky nuk është grupi i të dhënave aktuale të qeverisë.”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nga ana e tij, ka deklaruar se SHBA-të kanë raketa më se të mjaftueshme. Megjithatë, brenda qeverisë amerikane ekziston shqetësimi se, nëse lufta me Iranin përshkallëzohet me shpejtësi, ky tension mund të bëhet edhe më i madh.
Kjo është arsyeja pse, me SHBA-të në një pikë të re kthese në përballjen me Iranin, zyrtarët po përpiqen të përcaktojnë mënyrën më të mirë të veprimit, edhe pse nuk do të zbulojnë shifrat specifike që qëndrojnë në themel të këtij shqetësimi.
(A2 Televizion)