
Franca dhe Spanja po përballen me një nga sezonet më të rënda të zjarreve në dekadat e fundit, me flakët që kanë detyruar mbi 300 mijë persona të evakuohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa mijëra zjarrfikës vijojnë betejën për të vënë situatën nën kontroll.
Franca po përjeton zjarret më të rënda në 20 vitet e fundit, ndërsa autoritetet në Madrid i kanë cilësuar flakët si më shkatërrueset në historinë e rajonit. Situata vjen pas një vere të karakterizuar nga temperatura ekstreme, që në shumë zona të Evropës kanë kaluar 40 gradë Celsius.
Në Spanjë, tre vatra të mëdha zjarri në malet pranë Madridit kanë djegur rreth 770 kilometra katrorë sipërfaqe. Ndërkohë, në Francë, rajoni i Gironde, pranë qytetit të Bordeaux, mbetet më i godituri, ku mbi 200 mijë banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë, shkruan A2CNN.
Flakët janë përhapur me shpejtësi, duke shkatërruar pyje dhe toka bujqësore në një nga rajonet më të njohura të prodhimit të verës në Francë. Brenda më pak se katër ditësh janë djegur mbi 420 kilometra katrorë, një sipërfaqe rreth katër herë më e madhe se Parisi. Zjarri ndodhet tashmë vetëm 15 kilometra në jug të Bordeaux.
Autoritetet franceze kanë ngritur alarmin edhe për rrezikun që flakët paraqesin ndaj objekteve ushtarake dhe industriale të ndjeshme, përfshirë impiante që lidhen me raketat balistike, motorët raketorë dhe përpunimin e substancave kimike të rrezikshme.
Sipas ekspertëve, intensiteti i zjarreve ka krijuar edhe të ashtuquajturat "stuhi zjarri", një fenomen i rrallë atmosferik që formohet nga nxehtësia ekstreme e flakëve. Këto re mund të prodhojnë vetëtima, të cilat rrezikojnë të ndezin vatra të reja zjarri, duke e bërë situatën edhe më të vështirë për ekipet e emergjencës.
Për të frenuar përhapjen e flakëve, Franca ka angazhuar avionë zjarrfikës të tipit Canadair, të aftë të marrin deri në 6 mijë litra ujë nga deti ose liqenet brenda pak sekondash dhe ta hedhin atë mbi vatrat aktive. Në terren operojnë rreth 2.500 zjarrfikës, 1.500 ushtarakë dhe 1.200 efektivë policie e xhandarmërie.
Në zonat më të rrezikuara pranë Lacanau, makineri të rënda janë përdorur për të krijuar breza mbrojtës pa bimësi, me gjerësi deri në 100 metra, për të ndaluar avancimin e flakëve.
Edhe autoritetet spanjolle po përdorin taktika të ngjashme në përpjekje për të kontrolluar situatën. Delegati i qeverisë në Madrid, Francisco Martin, e cilësoi zjarrin si "pa dyshim më të madhin në historinë e rajonit të Madridit".
(A2 Televizion)