Masakër në festivalin e ushqimit në Seattle, tre të vdekur dhe disa të plagosur pas të shtënave me armë

Nga A2 CNN
27 Korrik 2026, 17:20 | Bota

Masakër në festivalin e ushqimit në Seattle, tre të vdekur

Tre persona humbën jetën dhe disa të tjerë mbetën të plagosur pas një sulmi me armë zjarri gjatë festivalit vjetor të ushqimit Bite of Seattle, pranë monumentit të njohur Space Needle në qytetin e Seattle-it, SHBA.

Sipas policisë, të shtënat nisën rreth orës 18:00 me orën lokale, ndërsa festivali ishte i mbushur me vizitorë. Hetimet paraprake tregojnë se dy persona të armatosur qëlluan ndaj njëri-tjetrit mes turmës, duke shkaktuar panik.

Dy viktima u shpallën të vdekura në vendngjarje, ndërsa një person i tretë humbi jetën më vonë në spital. Mes të plagosurve ndodhet edhe një fëmijë 2-vjeçar. Katër të plagosur u transportuan në spital në gjendje të qëndrueshme, ndërsa një person tjetër refuzoi trajtimin mjekësor, shkruan A2CNN. 

Njëri nga të dyshuarit është arrestuar, ndërsa tjetri mbetet në arrati. Megjithatë, autoritetet kanë deklaruar se aktualisht nuk ka një kërcënim të menjëhershëm për publikun.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë qindra njerëz që vrapojnë për t'u larguar nga zona ose strehohen brenda ndërtesës ikonike të Space Needle. Dëshmitarët e përshkruan skenën si "të tmerrshme" dhe "kaos të pastër".

"Ne ishim pikërisht pranë njërit prej personave që qëllonte kur filluan të shtënat. Filluam të vraponim drejt ndërtesës së Muzeut të Fëmijëve së bashku me turmën", tha për Associated Press dëshmitarja Faith Adia Hunter.

Departamenti i Policisë së Seattle-it bëri të ditur se hetimet vijojnë dhe u bëri thirrje qytetarëve të shmangin zonën e ngjarjes.

Kryetarja e Bashkisë së Seattle-it, Katie Wilson, e cilësoi ngjarjen si "një akt të tmerrshëm dhune", ndërsa falënderoi policinë për reagimin e shpejtë dhe arrestimin e njërit prej të dyshuarve.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos