Një luftë e vërtetë civile ka shpërthyer në Meksikë. Dhuna në Tapalpa të Haliskos nuk po ndalet pas vrasjes së bosit të drogës, i njohur si “El Mencho”, emri i vërtetë i të cilit është Nemesio Rubén Oseguera Cervantes. Autoritetet konfirmojnë se deri tani janë regjistruar të paktën 26 viktima.
Mes të vrarëve janë: një grua shtatzënë në muajin e tretë dhe 17 pjesëtarë të forcave të rendit, përfshirë 15 anëtarë të Gardës Kombëtare, shkruan A2 CNN. Në përplasjet me bandat kriminale janë vrarë edhe tetë persona të dyshuar si pjesë e grupeve të armatosura. Policia ka arrestuar 27 persona, 11 për aktet e dhunës dhe 14 të tjerë për grabitje të bizneseve dhe bankave. Përplasjet janë përqendruar kryesisht në zonat perëndimore të vendit.
Automjete të djegura kanë bllokuar rrugë dhe autostrada në disa shtete, ndërsa kartelet po përpiqen të pengojnë operacionet ushtarake. Kolona të mëdha tymi janë parë në Puerto Vallarta dhe ka pasur kaos edhe në aeroportin ndërkombëtar të Guadalajara-s, ku disa fluturime janë pezulluar.
Turistët e përshkruan situatën si një luftë të vërtetë, ndërsa të shumtë në numër po kërkojnë rrugëdalje nga Meksika, nga deti, ajro dhe toka. Pas vdekjes së kreut të kartelit Jalisco Nueva Generación, autoritetet kanë mbyllur shkolla dhe kanë kërkuar nga qytetarët të qëndrojnë në shtëpi.
Qeveritë e huaja, kanë këshilluar shmangien e udhëtimeve jo të domosdoshme. Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar mbështetjen e inteligjencës amerikane në operacionin kundër “El Menchos” dhe ka përgëzuar ushtrinë meksikane. Departamenti Amerikan i Shtetit kishte ofruar një shpërblim deri në 15 milionë dollarë për informacione që do të çonin në arrestimin e tij. (A2 Televizion)