
Një raketë, që dyshohet se u lëshua nga rebelët Houthi, goditi të enjten kullën PIF, ndërtesën më të lartë të kryeqytetit saudit, duke thyer xhamat në shtatë deri në tetë kate dhe duke dëmtuar pjesë të fasadës së saj.
Pas sulmit, autoritetet mbyllën hyrjet në zonën financiare Mbreti Abdullah dhe nisën evakuimin e njerëzve, ndërsa në vendngjarje mbërritën ambulanca dhe zjarrfikëse. Deri tani nuk raportohen viktima.
Koalicioni ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite konfirmoi se kishte neutralizuar një kërcënim me raketë të lëshuar drejt Riadit, ndërsa mbetjet e saj shkaktuan dëme materiale.
Ky është sulmi i dytë brenda më pak se dy javësh ndaj një objekti të rëndësishëm në zonën financiare të kryeqytetit. Më 8 nëntor ishte goditur edhe ndërtesa e kompanisë shtetërore të naftës, Aramco.
Përshkallëzimi vjen në kuadër të konfliktit mes Arabisë Saudite dhe rebelëve Houthi, të mbështetur nga Irani. Sipas burimeve të cituara nga Reuters, autoritetet saudite po përgatiten për një fushatë ushtarake që mund të zgjasë deri në gjashtë muaj të tjerë. (A2 Televizion)