Trump i ofron anijen spitalore, Groenlanda dhe Danimarka: Kemi shëndetësinë falas, ndryshe nga ju

Nga A2 CNN
23 Shkurt 2026, 10:53 | Bota

Trump i ofron anijen spitalore, Groenlanda dhe Danimarka: Kemi

Në rrjetin e tij social Truth Social, Presidenti Trump lajmëroi se do të dërgonte një anije spitalore për të ndihmuar të sëmurët në Groenlandë. Ky postim kontravers i së shtunës nuk u prit mirë nga kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen. Ai reagoi ashpër, pasi Trump nënkuptoi që sistemi shëndetësor në ishull nuk po trajtonte si duhet të sëmurët.

“Duke punuar me guvernatorin fantastik të Luizianës, Jeff Landry, ne do të dërgojmë një anije të madhe spitalore në Groenlandë për t’u kujdesur për shumë njerëz që janë të sëmurë dhe nuk po marrin kujdesin e duhur atje. Është rrugës!!!”, tha Trump.

Ndërkohë që Nielsen kritikoi sistemin shëndetësor amerikan, duke thënë që në sistemin shëndetësor atje, duhet të paguash për të marrë trajtimin mjekësor. “Ideja e Presidentit Trump për të dërguar një anije spitalore amerikane këtu në Grenlandë është vënë re. Por ne kemi një sistem shëndetësor publik, ku trajtimi është falas për qytetarët”, tha Nielsen. “Kjo është një zgjedhje e qëllimshme dhe një pjesë themelore e shoqërisë sonë. Nuk funksionon kështu në SHBA, ku duhet të paguash për t’u vizituar te mjeku”.

Pretendimet e presidentit Trump për marrjen e Groenlandës, kanë shkaktuar tensione edhe me Mbretërinë e Danimarkës, e cila ka reaguar në mjaft raste, duke marrë dhe mbështetjen e vendeve europiane. Në rastin e anijes spitalore, kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen reagoi me një postim në Facebook, i cili ishte në të njëjtën linjë me deklaratën e kryeministrit të Groenlandës.

“Gëzohem që jetoj në një vend ku të gjithë kanë akses të lirë dhe të barabartë në shëndet. Ku nuk janë sigurimet dhe pasuria që përcaktojnë nëse merr trajtim të duhur”.

Autoritetet groenlandeze kanë ndihmuar para pak ditësh një pjesëtar të ekuipazhit të një nëndetëseje amerikane, i cili ka marrë trajtim mjekësor në kryeqytetin Nuuk. Postimi i presidentit Trump erdhi disa orë pas kësaj ngjarjeje dhe ndaj, qëllimi i dërgimit të anijes spitalore amerikane mbetet i paqartë, duke qenë se edhe autoritetet groenlandeze nuk kanë kërkuar ndihmën amerikane. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos