Venezuela nënshkruan marrëveshje ushtarake me SHBA-të, më pak se një vit pas rrëzimit të Maduros

Nga A2 CNN
19 Nëntor 2026, 17:59 | Bota

Venezuela nënshkruan marrëveshje ushtarake me SHBA-të, më
Shtetet e Bashkuara dhe Venezuela kanë rivendosur marrëdhëniet ushtarake, më pak se një vit pasi forcat amerikane kapën presidentin e atëhershëm të vendit të Amerikës së Jugut, Nicolás Maduro, gjatë një operacioni në kryeqytetin Karakas.

Qeveria e përkohshme, e drejtuar nga Delcy Rodríguez, ish-zëvendëspresidente e Maduros, nënshkroi të mërkurën një marrëveshje për bashkëpunim ushtarak me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Deri më tani janë bërë publike pak detaje rreth marrëveshjes, por Hegseth deklaroi se Venezuela kishte kaluar “nga kërcënimi ynë më agresiv në rajon në një partnere të bindur të sigurisë”, brenda më pak se 12 muajsh.
Presidentja e përkohshme, Rodríguez, tha se marrëveshja do të ndihmojë në përballimin e “kërcënimeve të përbashkëta”.

Bashkëpunimi ushtarak mes dy vendeve ishte ndërprerë në vitin 2005 nga Hugo Chávez, presidenti i majtë i Venezuelës në atë kohë.

Chávez pretendonte se personeli ushtarak amerikan, i dërguar në Venezuelë për të trajnuar homologët e tyre, kishte bërë komente fyese ndaj qeverisë së tij.

Ai akuzoi gjithashtu zyrën ushtarake amerikane, të vendosur në Fuerte Tiuna, kompleksi më i madh ushtarak i Venezuelës, se ishte “një organ i CIA-s... që komplotonte kundër qeverisë”.

Nën drejtimin e Nicolás Maduros, i cili pasoi Chávez-in pas vdekjes së këtij të fundit nga kanceri, marrëdhëniet mes dy vendeve u përkeqësuan edhe më tej. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos