Estonia targeti i Rusisë! SHBA: Moska ka përdorur armë kimike në Ukrainë

Nga Erjon Dervishi
2 Maj 2024, 11:47 | Bota

Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar zyrtarisht Rusinë për përdorimin e armëve kimike “si një metodë lufte”, kundër Ukrainës. Në një deklaratë, Departamenti Amerikan i Shtetit tha se “Rusia ka përdorur armën kimike kloropicrinë kundër forcave ukrainase në kundërshtim me Konventën e Armëve Kimike.

“Përdorimi i kimikateve të tilla nuk është një incident i izoluar dhe ndoshta nxitet nga dëshira e forcave ruse për të zhvendosur forcat ukrainase nga pozicionet e fortifikuara dhe për të arritur përfitime taktike në fushën e betejës”, thuhet në reagimin e DASH.

Konkluzioni i SHBA-së përputhet me dëshminë e trupave ukrainase, të cilët thonë se janë sulmuar me kimikate irrituese në pjesë të vijës së tyre të frontit me forcat ruse, muajt e fundit. Sakaq, Rusia ka mohuar përdorimin e armëve kimike. Ambasadori rus në SHBA i ka quajtur akuzat e SHBA-së si të neveritshme dhe të pabaza.

“Nuk ka armë kimike në rezervat e ushtrisë ruse, siç konfirmohet nga hetimet ndërkombëtare. Është sikur Uashingtoni nuk e kupton se Rusia dhe rusët nuk mund të frikësohen nga vendimet e tyre. SHBA-ja përpiqet të frikësojë partnerët rusë dhe të shënjestrojë kompanitë kombëtare të teknologjisë së lartë, të transportit dhe të energjisë, me synim "eliminimin" e konkurrencës nga tregu”, thotë Anatoly Antonov, Ambasador i Rusisë në SHBA.

Nëse përdorimi i armëve kimike mohohet nga Kremlini, përdorimi i raketave balistike është një fakt i ditur. Reuters raporton për sulme me raketa balistike në portin e Odesës, ku si pasojë janë plagosur 14 persona.

Ky është sulmi i tretë me raketa ndaj Odesës në vetëm dy ditë, bëjnë të ditur zyrtarët lokalë të Odesës.

“Ambicia e Putin për të marrë Odesën ka alarmuar perëndimorët dhe vendet fqinje të Rusisë. Qyteti kufitar Narva në Estoni, mund të jetë targeti i radhës i Putinit për ta destabilizuar”, citon Wall Street Journal.

Narva, sipas Putin, është një tokë ruse dhe si rrjedhojë i përket Rusisë. Gjuha e tretë më e përdorur është ajo ruse. Qytetarët janë në panik dhe po përgatiten për më të keqen.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos