Europa në alarm! Çmimi i gazit rritet me 25%, takohen me urgjencë krerët e bllokut

Nga Rosalba Bejdo
19 Mars 2026, 15:12 | Bota

Shtetet europiane po luftojnë për të zbutur ndikimin e çmimeve në rritje të naftës, pas sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike në vendet e Gjirit, përfshirë impiantin më të madh të përpunimit të gazit të lëngshëm në botë në Katar, në përshkallëzimin më të rrezikshëm të luftës izraelito-amerikane ndaj Iranit.

Çmimi i gazit u rrit ndjeshëm pasi dy valë sulmesh raketore iraniane shkaktuan dëme të mëdha në qytetin industrial të Ras Laffan, ku përpunohet 1/5 e gazit të lëngshëm të botës, shkruan A2 CNN. Në shkëmbimet e para të ditës, çmimi u rrit me më shumë se 25 për qind në Britaninë e Madhe dhe në Europë, përpara se të pësonte një ulje të lehtë.

Çmimi i gazit në Europë është 60 për qind më i lartë se niveli para se të niste konflikti. Po ashtu, nafta Brent u rrit me 7 për qind këtë të enjte, duke arritur në 114 dollarë për fuçi. Ndërsa rritja e vrullshme e çmimeve të energjisë ka nxitur frikën për inflacion, shtohet edhe mundësia e rritjes së normave të interesit nga Banka Qendrore Europiane dhe ajo e Anglisë.

Ndërkohë, liderët e Bashkimit Europian u takuan në Bruksel në përpjekje për të gjetur zgjidhje të shpejta, edhe pse mundësitë në tryezë janë të pakta. Përballë kësaj situate, drejtuesit e linjave ajrore europiane i kërkuan BE-së të enjten të shtyjë pjesërisht zbatimin e agjendës së saj të gjelbër, duke paralajmëruar rritje të çmimeve të biletave për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Megjithatë, blloku e hodhi poshtë çdo vonesë, duke theksuar se objektivat klimatikë mbeten në rrugën e duhur. Në afat më të gjatë, Europa po mbështetet në zëvendësimin e lëndëve djegëse fosile me prodhim vendas të energjisë me emetime të ulëta karboni, për t’i dhënë fund ekspozimit të bllokut ndaj çmimeve të paqëndrueshme të naftës dhe gazit.

Por zgjidhjet afatshkurtra mbeten të vështira për t’u gjetur. Disa vende të BE-së dyshojnë se blloku, i cili ka 27 shtete anëtare me përzierje shumë të ndryshme energjie dhe taksa kombëtare mbi energjinë, mund të kompensojë një rritje të çmimeve në afatin e afërt si rezultat i ndërprerjeve në tregjet globale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos