
Një fluturim i kompanisë ajrore Porter Airlines në Kanada u detyrua të kthehej në terminal, pasi një fëmijë i vogël refuzoi të vendoste rripin e sigurimit, duke shkaktuar anulimin e udhëtimit dhe një debat të gjerë mbi sigurinë dhe sjelljen e fëmijëve në avionë.
Ngjarja ndodhi më 6 gusht, në një fluturim që do të nisej nga Victoria drejt Torontos. Sipas kompanisë ajrore, fëmija qëndronte në këmbë mbi sediljen e tij dhe nuk pranonte të vendoste rripin e sigurimit. Përpjekjet e prindit shoqërues dhe të ekuipazhit për ta bindur fëmijën rezultuan të pasuksesshme.
“Avioni nuk mund të ngrihej në këto kushte të pasigurta”, deklaroi Porter Airlines, duke sqaruar se ekuipazhi vendosi të kthehej në terminal dhe të zbriste fëmijën dhe prindin.
Për shkak të vonesës, pista u mbyll pas mesnate dhe pasagjerët u detyruan të udhëtonin me një fluturim të planifikuar për ditën e ardhshme.
Ekspertja për sigurinë e fëmijëve në aviacion, Lia Tuso, tha për BBC se vendimi i ekuipazhit ishte i nevojshëm për sigurinë e të gjithë pasagjerëve. Sipas saj, fëmijët pa rrip sigurimi mund të shndërrohen në predha gjatë turbulencave, veçanërisht gjatë ngritjes dhe uljes sikurse bagazhet e pakontrolluara, të cilat mund të përplasen me pasagjerët në rast turbulence, apo gjatë ngritjes dhe uljes.
Incidenti ka ndezur debatin në internet mbi tolerancën që duhet të kenë linjat ajrore ndaj familjeve që udhëtojnë dhe sa rreptësisht duhet t’i zbatojnë prindërit rregullat e linjave ajrore.
Disa kritikojnë prindërit për mungesë disipline, ndërsa të tjerë theksojnë se fëmijët mund të kenë frikë nga fluturimi dhe jo domosdoshmërisht synojnë të prishin udhëtimin.
(A2 Televizion)