Ashpërsohen tonet mes Tiranës dhe Beogradit zyrtar, pas kërcënim të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç për të ndryshuar rrjedhën e lumit Ibër. Deklarata e ministrit shqiptar Ferit Hoxha se Serbia po e përdor ujin si armë politike nxiti një mori reagimesh nga zyrtarët e lartë në Beograd. Ministri i jashtëm Marko Gjuriç akuzoi Tiranën për përpjekje për të zhvendosur vëmendjen, siç pretendonte, nga shkelja e të drejtave të serbëve në Kosovë.
Ndërkohë presidenti Vuçiç vuri në duke se kjo është një çështje e brendshme që nuk ka lidhje me Shqipërinë. Komenteve kryeministri shqiptar Edi Rama ju përgjigj me një postim të gjatë në rrjetin social X, ku theksoi se teksa Shqipëria nuk ka asnjë pretendim territorial ndaj Serbisë, kjo e fundit e kishte humbur Kosovën.
“Shqipëria nuk ka absolutisht asnjë pretendim ndaj territorit serb dhe nuk ka nevojë të shpikë një të tillë. As nuk kemi nevojë për një ‘Shqipëri të Madhe’ për të qëndruar në krah të Kosovës. Kosova është një shtet më vete. Shqiptarët e Kosovës janë pikërisht kjo: shqiptarë të Kosovës. Ata kanë Republikën e tyre, institucionet e tyre dhe të drejtën për të përcaktuar të ardhmen e tyre. Ne do të qëndrojmë gjithmonë në mbështetje të kësaj të drejte”, u shpreh Rama.
Reagimi i Ramës ka nxitur një tjetër replikë nga ministri i Jashtëm në Serbi, Marko Gjuriç i cili ironizoi me referencat e kryeministrit shqiptar ndaj gjeografisë, historisë dhe vlerave europiane.
“Kryeministri Edi Rama ka shkruar një tekst të gjatë dhe elegant mbi gjeografinë, historinë dhe vlerat evropiane. Ajo që ka zgjedhur të mos trajtojë është shkatërrimi sistematik i pronës serbe që po ndodh aktualisht. Meqë është përmendur gjeografia: lumi Ibër buron në Mal të Zi, rrjedh përmes Serbisë, përfshirë Kosovën dhe Metohinë, dhe më pas vazhdon përmes pellgut të Danubit drejt Detit të Zi. Ai nuk hyn në territorin e Shqipërisë dhe nuk është pjesë e sistemit te lumenjve të Shqipërisë”, u shpreh Gjuriç.
Teksa theksoi se qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës është i përfshirë në kushtetutë, ligjin ndërkombëtar dhe rezolutën 122 44 të Këshillit të Sigurimit, Gjuriç i zbuti tonet në fund, duke kërkuar që diplomacia e zhurmshme t’ia lërë vendin komunikimit privat.
Po ashtu ministri për integrimin europian Nemanja Starovic ju bashkua korit të replikave, duke adresuar komente të forta ndaj palës shqiptare.
“Kosova ndodhet brenda kufijve të Serbisë të njohur nga OKB-ja. Këta kufij janë dhe duhet të mbeten të paprekshëm, pavarësisht nëse flasim për Serbinë, Ukrainën, Kinën apo Qipron (përfshirë, natyrisht, edhe Shqipërinë). Të flasësh për marrëdhënie të mira fqinjësore, ndërkohë që refuzon të respektosh integritetin territorial të fqinjit, nuk është gjë tjetër veçse një shërbim hipokrit me fjalë boshe”, theksoi ai.
Reagimet vijnë një ditë pasi Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se Serbia ka filluar punën konkrete për të devijuar rrjedhën e lumit Ibër, me pretendimin se autoritetet në Prishtinë po keqtrajtojnë popullsinë serbe në veri. (A2 Televizion)