Dosjet Epstein dhe transparenca e rreme. Çfarë u publikua, çfarë u fshi dhe sa i përfshirë është Trump?

Nga Rosalba Bejdo
22 Dhjetor 2025, 23:40 | Bota

Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka publikuar mijëra dokumente të reja që lidhen me çështjen e Jeffrey Epstein, financierin e fuqishëm dhe abuzuesin seksual, i cili vdiq në burg në vitin 2019.

Publikimi përfshin dosje gjyqësore, transkripte të jurive federale dhe fotografi ku Epstein shfaqet me figura të njohura botërore: ish-presidentë, miliarderë, artistë dhe anëtarë të familjeve mbretërore, shkruan A2.

Por, ajo që u paraqit si një hap drejt transparencës, po shihet gjithnjë e më shumë si një proces i pjesshëm, i kontrolluar dhe thellësisht problematik. Ligji i quajtur “Epstein Files Transparency Act”, i miratuar nga Kongresi dhe i firmosur nga vetë Presidenti Donald Trump në nëntor, e detyronte qeverinë amerikane të publikonte të gjitha materialet e paklasifikuara që lidhen me Epstein dhe bashkëpunëtoren e tij, Ghislaine Maxwell, e dënuar me 20 vite burg për trafik seksual të të miturve.

Por, sapo dosjet dolën, nisi zemërimi: qindra faqe ishin tërësisht të nxira, emra të fshehur, paragrafë të fshirë – dhe më e rëndësishmja, disa dokumente u zhdukën nga faqja zyrtare vetëm pak orë pas publikimit. Sipas mediave amerikane, të paktën 16 dosje të publikuara fillimisht janë hequr më pas, përfshirë edhe një fotografi ku shfaqej Presidenti Trump.

Nathaniel Birkhead shprehet: “Ideja është që ka shumë njerëz të tjerë që ndodhen në dosjet Epstein, Bill Clinton, Bill Gates, Michael Jackson, ish-Princi Andrew – të gjithë këta dihej që kishin qenë miq me Epstein. Por, publikimi vetëm i këtyre emrave dhe mospublikimi i asgjëje që e vendos Trumpin në një dritë negative është një përpjekje për të shpërqendruar narrativën, për ta larguar narrativën nga Trump dhe për ta zhvendosur te këta njerëz të tjerë. Dhe mendoj se kjo është një llogaritje e gabuar, sepse demokratëve nuk u intereson Bill Clinton. Mendoj se shumë demokratë janë lodhur nga Clintonët. Kështu që kjo nuk po rrëzon ndonjë totem të shenjtë për ta”. 

Por, çfarë përmbajnë dosjet e reja?

Kjo është vala e dytë e madhe e publikimeve. E para, me rreth 950 faqe, u bë publike në fillim të vitit 2024. Dokumentet e fundit sjellin disa zbulime kyçe: Një document konfirmon se FBI ishte njoftuar për krimet e Epstein që në vitin 1996, gati një dekadë para arrestimit të tij të parë.

Viktima, Maria Farmer, kishte denoncuar se Epstein ishte i përfshirë në abuzime seksuale ndaj fëmijëve. Emri i saj është i fshirë në dokument, por vetë Farmer e ka konfirmuar publikisht. Sot në të 50-at, ajo thotë se ndihet “e rehabilituar” dhe se publikimi i dosjeve ishte “një nga ditët më të mira të jetës së saj”.

Transkripte të reja të jurive federale përfshijnë dëshmi të vajzave dhe grave të reja që përshkruajnë se si paguheshin për të kryer akte seksuale për Epstein. Viktima më e re ishte vetëm 14 vjeç. Një grua tregoi se Epstein e kishte punësuar kur ishte 16 vjeç dhe më pas ajo kishte rekrutuar vajza të tjera: “Për çdo vajzë që sillja, më jepte 200 dollarë”, ishte dwshmia e saj.

Në dosjet e reja përfshihen dhjetëra fotografi të sekuestruara nga FBI në shtëpitë e Epstein në Nju Jork dhe Ishujt Virgin Amerikanë. Në to shfaqen figura të famshme si Mick Jagger, Michael Jackson, Diana Ross, si dhe Bill Clinton, Kevin Spacey, Richard Branson, Chris Tucker, ish-ambasadorë britanikë dhe Princi Andrew me ish-bashkëshorten e tij Sarah Ferguson.

Në një foto, Princi Andrew shihet i shtrirë mbi prehërin e disa personave me fytyra të mbuluara, ndërsa Ghislaine Maxwell qëndron pas tyre. Konteksti i fotove nuk shpjegohet nga Departamenti i Drejtësisë. Virginia Giuffre, një nga akuzueset kryesore të Epstein – e cila vdiq nga vetëvrasja këtë vit – kishte akuzuar Princin Andrew për abuzim seksual kur ajo ishte 17vjeç. Ai e mohoi gjithmonë akuzën, por arriti një marrëveshje jashtë gjykate në vitin 2022.

Bill Clinton shfaqet në disa fotografi, përfshirë një në pishinë dhe një tjetër në Jacuzzi me Maxwell dhe persona të tjerë të paidentifikuar. Ai nuk është akuzuar kurrë për krime dhe ka deklaruar se i kishte ndërprerë kontaktet me Epstein përpara se ky i fundit të shpallej fajtor në Florida.

Zyra e tij e quajti publikimin e fotove një përpjekje për ta përdorur si “kokë turku”. Sa i përket Trump-it, ai shfaqet shumë pak në dosje dhe kryesisht në fotografi që kanë qarkulluar prej vitesh. Megjithatë, një dokument gjyqësor përmend një episod ku Epstein dyshohet se e ka prezantuar Trump-in me një vajzë 14-vjeçare në Mar-a-Lago. Nuk ka asnjë akuzë direkte ndaj Trumpit nga viktima. Shtëpia e Bardhë reagoi duke thënë se administrata Trump është “më transparentja në histori”.

Por, pikërisht këtu lind dyshimi më i madh.

Nathaniel Birkhead shpjegon: “Publikimi i pjesshëm i dosjeve Epstein do të ketë një ndikim negativ për Trumpin. Kjo histori vazhdon të zgjasë dhe ai po vazhdon të largojë aleatët e tij të mëparshëm në parti, te të cilët është mbështetur në Kongres. Dhe duke mos bërë një publikim të plotë të dosjeve Epstein, kjo histori thjesht do të vazhdojë të zvarritet. Ajo që do të shohim është që gjithnjë e më shumë republikanë në Kongres do të distancohen nga Trump dhe do të mendojnë më shumë për atë që duhet të bëjnë për t’u rizgjedhur vjeshtën e ardhshme. Sepse është shumë e qartë që Donald Trump është jopopullor. Kjo çështje është edhe më jopopullore se kaq. Dhe tani anëtarët e Kongresit po e kuptojnë se suksesi i tyre elektoral nuk varet nga mbrojtja e Trumpit.” 

Pse kaq shumë faqe të fshira? Nga mijëra faqe të publikuara, të paktën 550 janë tërësisht të nxira. Një dokument prej 119 faqesh është plotësisht i padukshëm, ashtu si edhe qindra faqe të tjera radhazi. Zëvendës-Prokurori i Përgjithshëm, Todd Blanche, sqaroi se fshirjet bëhen për të mbrojtur viktimat, hetimet aktive, informacionet e klasifikuara dhe privilegjet ligjore. Por, kritikët thonë se fshirjet po shkojnë përtej mbrojtjes dhe po kthehen në mbulim të së vërtetës. Po ashtu ngrihen akuza për shkelje të ligjit dhe afateve.  

Departamenti i Drejtësisë nuk e respektoi afatin 30-ditor të përcaktuar nga ligji. Ligjvënës demokratë dhe republikanë e quajtën publikimin “të paplotë” dhe “në shkelje të ligjit”. Chuck Schumer akuzoi administratën se është “e vendosur të fshehë të vërtetën”. Ligjvënës të tjerë po shqyrtojnë rrugë ligjore për ta detyruar qeverinë të publikojë gjithçka.

Nathaniel Birkhead thekson: “Nuk ka asnjë mënyrë për ta parë këtë situatë si një rast ku Departamenti i Drejtësisë po e zbaton plotësisht ligjin, gjë që është ironike për ta thënë. Por, edhe vetë anëtarët e Kongresit e kanë thënë këtë. Dhe nuk janë vetëm demokratët – janë edhe figura si Rand Paul dhe Marjorie Taylor Greene. Prandaj, nuk mendoj se do të shohim ndonjëherë së shpejti procedura shkarkimi ndaj Pam Bondit. Mendoj se kjo do të ishte dramatike. Por, kjo situatë po e vendos Departamentin e Drejtësisë në një dritë shumë negative dhe do të tërheqë gjithnjë e më shumë vëmendje dhe shqyrtim nga Kongresi, si nga demokratët ashtu edhe nga republikanët.” 

Departamenti i Drejtësisë thotë se dokumente të tjera do të publikohen në ditët në vijim. Por, besimi i publikut është dëmtuar. Sepse pyetja që mbetet pezull është kjo: Nëse kjo është transparencë, çfarë po fshihet ende? (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos