Signal kufizon screenshots-at për të penguar agjentët e AI-së të lexojnë mesazhet private

Nga A2 CNN
20 Nëntor 2026, 17:33 | Teknologji

Signal kufizon screenshots-at për të penguar agjentët e

Shërbimi i mesazheve të enkriptuara Signal njoftoi të premten se do të kufizojë mundësinë e realizimit të fotografive të ekranit (screenshots), për të penguar agjentët e inteligjencës artificiale të lexojnë bisedat private në telefonat e përdoruesve.

Kompania paralajmëroi se përpjekjet e industrisë së teknologjisë për të integruar inteligjencën artificiale në pajisjet e konsumatorëve po dobësojnë aftësinë e saj për të garantuar privatësinë.

Signal, i konsideruar gjerësisht nga mbrojtësit e privatësisë si një nga liderët në fushën e komunikimit të sigurt, i cilësoi masat e reja mbrojtëse si “jo të plota”. Njëkohësisht, u bëri thirrje ofruesve të sistemeve operative, Apple, Google, në pronësi të Alphabet, dhe Microsoft, që t'u ofrojnë zhvilluesve të aplikacioneve mënyra më konkrete për të bllokuar aksesin e agjentëve të inteligjencës artificiale në të dhënat sensitive.

Signal u kërkoi gjithashtu këtyre kompanive të japin më shumë informacion mbi mënyrën se si funksionojnë agjentët e tyre, në mënyrë që zhvilluesit të mund të vlerësojnë se në çfarë të dhënash kanë akses robotët dhe të përshtatin sistemet e tyre në përputhje me rrethanat.

Ky vendim pasqyron tensionet në rritje mes aplikacioneve që i japin përparësi privatësisë dhe kompanive më të mëdha të teknologjisë, të cilat po garojnë për të hedhur në treg agjentë të inteligjencës artificiale, të projektuar për të parë përmbajtjen në ekranin e përdoruesit dhe për të ndërmarrë veprime bazuar në të.

Signal veçoi si veçanërisht shqetësuese aftësitë e inteligjencës artificiale të integruara drejtpërdrejt në sistemet operative, si Siri AI e Apple dhe Gemini Intelligence e Google, për shkak të integrimit të tyre të thellë në pajisjet e përdoruesve.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos