
Shtetet e Bashkuara kanë ashpërsuar masat ndaj eksporteve iraniane të naftës, duke zgjeruar bllokadën detare edhe ndaj anijeve që transportojnë ngarkesa iraniane përmes transferimeve nga një anije në tjetrën.
Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) ka paralajmëruar se çdo anije që merr mallra nga anije të ngarkuara në portet ose përgjatë vijës bregdetare të Iranit mund të konsiderohet se po i shmanget bllokadës amerikane.
Sipas njoftimit të CENTCOM-it, këto anije mund të ndalohen, kontrollohen, devijohen nga itinerari, kapen ose urdhërohen të kthehen në portin iranian nga ku ka origjinën ngarkesa. Autoritetet amerikane kanë paralajmëruar gjithashtu se moszbatimi i urdhrave mund të sjellë masa të mëtejshme, përfshirë përdorimin e forcës.
Ky vendim synon të mbyllë një nga mënyrat që Irani mund të përdorë për të vijuar eksportet e naftës, pavarësisht kufizimeve amerikane ndaj porteve dhe tregtisë së tij energjetike.
Nga ana tjetër, Teherani ka paralajmëruar vazhdimisht se do të kundërpërgjigjet në rast të sulmeve ndaj anijeve të tij. Agjencia gjysmëzyrtare iraniane Fars ka publikuar një koment ku sugjerohet dërgimi i një grupi cisternash nafte përmes bllokadës, duke paralajmëruar se çdo ndërhyrje amerikane mund të pasohet nga sulme ndaj infrastrukturës energjetike në rajon.
Megjithatë, analistët vlerësojnë se Irani e ka të vështirë ta sfidojë drejtpërdrejt bllokadën në aspektin ushtarak, për shkak të epërsisë detare të Shteteve të Bashkuara. Sipas tyre, Teherani mund të përpiqet ta bëjë zbatimin e saj më të kushtueshëm për Uashingtonin, duke rritur presionin ekonomik dhe politik. (A2 Televizion)