Franca me kryeministër të ri, njoftohen protesta të mëdha

Nga A2 CNN
9 Shtator 2025, 20:45 | Bota

Franca me kryeministër të ri, njoftohen protesta të mëdha

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka emëruar të martën Sébastien Lecornu si kryeministër të ri, vetëm 24 orë pasi një votëbesim rrëzoi François Bayrou-n nga posti i kryeministrit. Lecornu, 39 vjeç, ka qenë ministër i Forcave të Armatosura për tre vitet e fundit, duke u fokusuar veçanërisht në përgjigjen e Francës ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë.

Sipas një deklarate të Presidencës, Lecornu ka marrë detyrën për të konsultuar partitë politike me qëllim miratimin e buxhetit të ardhshëm të shtetit. Bayrou kishte dorëzuar më herët dorëheqjen, duke hapur rrugën për Lecornu-n, i cili bëhet kryeministri i pestë i mandatit të dytë të Macron.

Sfida kryesore për Lecornu-n mbetet të miratojë një buxhet kursimesh pa një shumicë të qartë në parlament. Franca ka një borxh publik në rritje, që ka arritur 3.3 trilionë euro, ose 114% të GDP-së. Bayrou kishte propozuar 44 miliardë euro kursime, por vendimi i tij për ta vënë buxhetin në votëbesim dështoi, dhe Asambleja Kombëtare rrëzoi qeverinë me 364 vota për kundër 194, shkruan A2 CNN.

Emërimi i Lecornu-së është kritikuar nga partitë e majta dhe të djathta, duke treguar vështirësitë që e presin. Agjencia e kreditit Fitch do të rishikojë ditën e premte borxhet e Francës dhe mund të rrisë kostot e huamarrjes nëse ul vlerësimin nga AA-. Ndërkohë, lëvizja popullore “Bloquons Tout” planifikon protesta të gjera të mërkurën, dhe autoritetet do të dislokojnë 80,000 policë për të ruajtur rendin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos