Francezët po vdesin nga i nxehti. Mbi 2 mijë viktima të tjera në një javë, zjarret kërcënojnë vendin

Nga Rosalba Bejdo
3 Korrik 2026, 15:02 | Bota

Franca ka regjistruar mbi 2 mijë vdekje të tjera, gjatë javës së fundit të valës rekord të të nxehtit që goditi Evropën në fund të muajit qershor. Sipas autoriteteve shëndetësore franceze, nga 22 deri më 28 qershor u regjistruan 2 025 vdekje më shumë, ose 29 për qind më shumë se një javë më parë.

Në rajonin e Parisit, rritja e vdekjeve arriti në 62%, ndërsa ministrja e Shëndetësisë, Stéphanie Rist, tha se shtimi i rasteve ishte veçanërisht i dukshëm tek personat mbi moshën 45-vjeçare. Më 24 qershor, Franca përjetoi ditën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë në nivel kombëtar, me temperatura që iu afruan 41 gradë Celsius në Paris, ndërsa gjysma e vendit u vendos në alarmin maksimal të kuq, shkruan A2.

Që nga 18 qershori, 72 persona kanë humbur jetën nga mbytja, ndërsa temperaturat e larta kanë shtyrë shumë njerëz drejt plazheve, lumenjve dhe liqeneve. Deputetët e Partisë së Gjelbër në Francë kanë njoftuar se do të paraqesin një mocion mosbesimi ndaj qeverisë, duke e akuzuar për menaxhim të dobët të valës së fortë të të nxehtit.

Në jug të Francës priten sërish temperatura deri në 40 gradë Celsius, ndërsa autoritetet kanë shpallur alarm të kuq për rrezikun ekstrem të zjarreve. Që nga fillimi i verës janë regjistruar afro 7 mijë zjarre, të cilat kanë djegur mbi 8 mijë e 700 hektarë tokë. Vetëm një zjarr në jug të vendit detyroi evakuimin e rreth 3 mijë banorëve. 

Edhe Spanja dhe Portugalia po përballen me temperatura mbi 40 gradë, ndërsa Mbretëria e Bashkuar pritet të goditet nga një tjetër valë e të nxehtit gjatë fundjavës. Sipas shërbimit evropian të klimës Copernicus, Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, me ritëm dy herë më të lartë se mesatarja globale, duke sjellë valë më të shpeshta të të nxehtit, thatësira dhe zjarre gjithnjë e më shkatërruese.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos