Fshihet midis rrotave të avionit të nisur nga Algjeria për në Paris, gjendet i gjallë burri

Nga A2 CNN
29 Dhjetor 2023, 12:19 | Bota

Fshihet midis rrotave të avionit të nisur nga Algjeria për

Mund të duket e pabesueshme, por një burrë ka realizuar kalimin ilegal nga Algjeria për në Francë, duke u fshehur në pjesën e rrotave të një avioni që u ul në aeroportin Orly të Parisit.

Autoritetet franceze e gjetën të gjallë, por me hipotermi të theksuar burrin rreth të 20-ve që ishte fshehur në ndarjen midis rrotave të një avioni tregtar.

Ai u gjet gjatë kontrolleve teknike pasi fluturimi i “Air Algerie” nga Orani, u ul në Paris mesditën e së enjtes.

Ai nuk kishte letërnjoftim dhe u dërgua në spital në gjendje të rëndë”, njoftuan autoritetet franceze.

Avionët komercialë fluturojnë në lartësinë 9000 deri në në 12000 metër, ku temperaturat zakonisht janë në rreth -50 gradë celsius dhe mungesa e oksigjenit e bën të pamundur mbijetesën për këdo që udhëton mes rrotave të tyre.

Zbulimi i këtij rasti vjen pas atij të prillit të këtij viti, ku trupi i një burri u gjet midis rrotave të një avioni në aeroportin Schiphol të Amsterdamit, pasi kishte fluturuar nga Nigeria.

Ndërkohë, në korrik 2019, trupi i ngrirë i një burri ra në kopshtin e një banese në periferi të Londrës, pasi ishte fshehur në ndarjen midis rrotave të një avioni të Kenya Airways që do të ulej në aeroportin Heathrow. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos