Berlini do të ndihmojë Kievin të zhvillojë armë të reja me rreze të gjatë veprimi që mund të godasin objektiva në territorin rus. Kjo është raportuar nga AFP, duke cituar kancelarin gjerman Friedrich Merz gjatë vizitës së sotme të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy.
“Ministrat tanë të mbrojtjes do të nënshkruajnë sot një memorandum mirëkuptimi në lidhje me prokurimin e sistemeve të armëve me rreze të gjatë veprimi të prodhuara në Ukrainë”, tha Merz, pa përmendur prodhuesit e përfshirë, përcjell A2 CNN.
“Nuk do të ketë kufizime në distancë, duke i lejuar Ukrainës të mbrohet plotësisht, madje edhe kundër objektivave ushtarake jashtë territorit të saj”, tha ai në një konferencë të përbashkët për shtyp, shkruan A2 CNN.
Prodhimi i armëve me rreze të gjatë veprimi “mund të zhvillohet si në Ukrainë ashtu edhe këtu në Gjermani. Nuk do të japim detaje të mëtejshme deri në njoftim të mëtejshëm”, theksoi ai.
Merz e përshëndeti projektin si "fillimin e një forme të re të bashkëpunimit ushtarako-industrial midis vendeve tona që ka potencial të madh".
Ndërkohë Rusia ka propozuar mbajtjen e raundit të ardhshëm të bisedimeve të paqes me Ukrainën më 2 qershor në Stamboll, tha të mërkurën ministri i jashtëm Sergei Lavrov, raporton A2 CNN.
“Pala ruse, siç është rënë dakord, ka hartuar menjëherë një memorandum përkatës, i cili përcakton qëndrimin tonë mbi të gjitha aspektet e kapërcimit të besueshëm të shkaqeve rrënjësore të krizës”, tha ai.
Delegacioni rus, i udhëhequr nga Vladimir Medinskiy, është gati t'ia paraqesë memorandumin palës ukrainase dhe të japë sqarimet e nevojshme gjatë raundit të dytë të bisedimeve të drejtpërdrejta të rifilluara në Stamboll të hënën e ardhshme, shtoi Lavrov. (A2 Televizion)