Vendimi i izraelit për të pushtuar Gazën, ka nxitur reagime të forta rreth botës, me shumicën e vendeve qe po e shohin këtë si një lëvizje të gabuar. Gjermania njoftoi pezullimin e eksportit të armëve në Izraeli, të cilat mund të përdoren në Rripin e Gazës.
Kancelari gjerman Fridrih Merz theksoi se ishte ekstremisht e vështirë të kuptohej se si plani ushtarak I izraelit do të ndihmonte në arritjen e qëllimeve të ligjshme. “në këto rrethana, qeveria gjermane nuk do të autorizojë eksporte të pajisjeve ushtarake që mund të përdoren në Gaza deri në një njoftim të dytë”, ishin fjalët e Merz.
Historikisht Berlini ka qenë një prej furnizueseve më të mëdhenj me armatime të Izraelit. Sipas Institutit Ndërkombëtar të Studimeve për Paqen në Stokholm, SHBA ishte furnizuesi kryesor i importeve ushtarake nga 2002 deri në 2024 në Izrael, ndërsa Gjermania renditej e dyta.
Për analistët nëse do të zbatohej plani do të kishte pasoja të paimagjinueshme.
"Është e vështirë të imagjinohet se si do te dukej, përveçse të thuhet se është një kapitull i zymtë dhe i errët në historinë e vetë Izraelit, evolucionin e tij, dhe sigurisht për palestinezët që po përpiqen të mbijetojnë në kushte tepër të ashpra dhe të paimagjinueshme brenda Gazës. Nëse ky plan zbatohet dhe duket se ka të ngjarë të ndodhë në ditët në vijim, implikimet do të jenë të gjera. Mendoj se është e drejtë të thuhet se ky është një përshkallëzim i panevojshëm.”
Në Britaninë e Madhe kryeministri Keir Starmer e cilësoi vendimin për të përshkallëzuar ofensivën në Gaza si të gabuar dhe i bëri thirrje Izraelit ta rikonsiderojë atë. Ndërkohë shefi i agjencisë për të drejtat e njeriut në OKB, Volker Türk paralajmëroi se zgjerimi i operacionit do të rezultojë në më shumë shpërngulje me forcë, më shumë vrasje, vuajtje të mëdha, shkatërrime dhe krime mizore.
Në Izrael familjet e pengjeve thonë se plani rrezikon pengjet në Gaza. Ndërsa presidenti i autoritetet palestinez refuzoi idenë e pushtimit të plotë të Gazës. (A2 Televizion)