Gjurmë kanabisi në karamelet e famshme, Holanda i tërheq nga tregu

Nga A2 CNN
30 Maj 2025, 07:34 | Bota

Gjurmë kanabisi në karamelet e famshme, Holanda i tërheq nga

Kompania e njohur gjermane e ëmbëlsirave, Haribo, ka nisur një tërheqje urgjente të disa pakove të saj në Holandë pasi disa prej tyre rezultuan të kontaminuara me kanabis. Autoriteti holandez për sigurinë ushqimore (NVWA) njoftoi se disa persona, përfshirë edhe anëtarë të një familjeje, u ndjenë keq pasi konsumuan karamelet "Haribo Happy Cola F!ZZ" me peshë 1 kilogram.

Sipas NVWA-së, simptomat e raportuara përfshijnë marramendje dhe shqetësime të tjera fizike. Pas analizave laboratorike, në disa mostra të konfiskuara u zbuluan gjurmë të substancës psikoaktive që gjendet në kanabis. Të paktën tre pako janë konfirmuar si të kontaminuara, por kompania ka vendosur të tërheqë të gjithë stokun e produktit në fjalë me datë skadence janar 2026, si masë paraprake.

Ende nuk dihet saktësisht sesi ndodhi kontaminimi, dhe autoritetet holandeze po hetojnë në bashkëpunim me policinë për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për produkte origjinale të Haribo apo për falsifikime.

Zëdhënësi i Haribo-s deklaroi se siguria e konsumatorëve është prioriteti kryesor i kompanisë dhe se situata po merret me seriozitet maksimal. Kompania konfirmoi gjithashtu se produktet e saj në tregjet e tjera jashtë Holandës nuk janë prekur nga ky incident dhe janë të sigurta për konsum.

NVWA ka paralajmëruar qytetarët që të mos konsumojnë produktin dhe t’i kthejnë pakot pranë pikave të shitjes. Hetimet janë në vazhdim dhe autoritetet po bëjnë thirrje për kujdes të shtuar në blerjen e produkteve ushqimore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos