Goditen nga treni, ngordhin 6 elefantë në Sri Lanka

Nga A2 CNN
20 Shkurt 2025, 14:31 | Bota

Goditen nga treni, ngordhin 6 elefantë në Sri Lanka

Një tren pasagjerësh doli nga shinat pasi goditi një tufë elefantësh pranë një rezervati të kafshëve të egra në Sri Lanka-n qendrore në orët e para të së enjtes.

Sipas mediave të huaja, ndërsa nuk u raportuan lëndime në mesin e pasagjerëve, gjashtë elefantë ngordhën nga aksidenti në Habarana, në lindje të kryeqytetit Colombo.

Dy elefantë të plagosur po trajtoheshin, tha policia, duke vënë në dukje se ky ishte aksidenti më i keq i tillë i kafshëve të egra që kishte parë vendi, raportoi AFP.

Nuk është e pazakontë që trenat të përplasen me tufa elefantësh në Sri Lanka, ku viktimat në të dyja anët e përplasjes, njeri-elefant janë ndër më të lartat në botë.

Vitin e kaluar, më shumë se 170 njerëz dhe gati 500 elefantë u vranë në të tilla aksidente, në përgjithësi dhe rreth 20 elefantë vriten nga trenat çdo vit, sipas mediave lokale.

Elefantët, habitatet natyrore të të cilëve ndikohen nga shpyllëzimi dhe zvogëlimi i burimeve, janë larguar gjithnjë e më shumë në vendet e aktivitetit njerëzor.

Disa u kanë kërkuar drejtuesve të trenave që të ngadalësojnë shpejtësinë dhe t'u binin borive të trenit për të paralajmëruar kafshët përpara në shinat hekurudhore, shkruan A2 CNN.

Në vitin 2018, një elefant shtatzënë dhe dy të vegjlit e tij ngordhën në mënyrë të ngjashme në Habarana pasi u goditën nga një tren. Të tre kishin qenë pjesë e një tufe më të madhe që kalonte shinat e trenit në agim.

Tetorin e kaluar, një tjetër tren u përplas me një tufë në Minneriya, rreth 25 km larg nga Habarana, duke vrarë dy elefantë dhe duke plagosur një.

Ka rreth 7000 elefantë të egër në Sri Lanka, ku kafshët, të nderuara nga shumica budiste, mbrohen me ligj. Vrasja e një elefanti është një krim që dënohet me burgim ose me gjobë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos