
Një sinagogë në veri të Londrës është bërë objektivi më i fundit hebre në një seri incidentesh zjarrvënieje në kryeqytetin britanik gjatë javëve të fundit, tha të dielën një organizatë bamirëse që ofron siguri për komunitetin hebre në Britani.
“Jemi në dijeni të një tjetër tentative për zjarrvënie, këtë herë që synonte një sinagogë në veri të Londrës, pas incidenteve të ngjashme të fundit që kanë shënjestruar komunitetin hebre në Finchley, Golders Green dhe Hendon,” tha Community Security Trust në një deklaratë.
“Në këtë rast pati dëme të vogla nga tymi në një dhomë të brendshme, por nuk pati të lënduar dhe as dëme të konsiderueshme strukturore.”
Nuk pati një koment të menjëhershëm nga policia e Londrës lidhur me incidentin në Kenton United Synagogue.
Të premten në mbrëmje pati një tentativë për zjarrvënie në një ambient biznesi me lidhje me komunitetin hebre, ndërsa disa ditë më parë policia arrestoi dy të dyshuar për një tjetër tentativë zjarrvënieje ndaj një sinagoge në kryeqytet.
Ndërkohë, një zonë rreth ambasadës izraelite në Londër u rrethua pas një raportimi online se ajo ishte shënjestruar me dronë që mbanin “substanca të rrezikshme”. Policia më vonë tha se sendet e gjetura nuk përmbanin substanca të dëmshme apo të rrezikshme.
Muajin e kaluar, disa ambulanca që i përkisnin shërbimit vullnetar hebre të emergjencës Hatzola, të cilat ishin të parkuara pranë një sinagoge në Golders Green, u dogjën.
“Mbrëmë një tjetër sinagogë, këtë herë në Kenton, u shënjestrua në një sulm të frikshëm me zjarrvënie,” tha Kryerabini i Britanisë, Ephraim Mirvis, në platformën X. “Një fushatë e vazhdueshme dhune dhe frikësimi kundër komunitetit hebre në Mbretërinë e Bashkuar po merr vrull.”
Një grup pro-iranian, Harakat Ashab al-Yamin al-Islamiyya, ose Lëvizja e Shokëve të Dorës së Djathtë të Islamit, ka marrë përgjegjësinë për shumicën e këtyre incidenteve, duke postuar në rrjetet sociale se qëndronte pas zjarrvënies në Kenton, së bashku me një video që pretendohet se tregon sulmin.
Grupi gjithashtu ka thënë se është përgjegjës për një seri sulmesh në të gjithë Europën ndaj objektivave amerikane, izraelite dhe hebreje.
Policia tha të shtunën se ka rritur praninë në zonë, përfshirë vendosjen e automjeteve të armatosura dhe burimeve nga njësia kundër terrorizmit.
“Ne e kuptojmë ndjenjën e shqetësimit mes banorëve lokalë dhe nuk e nënvlerësojmë ndikimin e incidenteve të tilla, veçanërisht tek komunitetet tona hebreje,” tha Luke Williams në një deklaratë.
“Ne vazhdojmë të punojmë me kolegët tanë nga policia kundër terrorizmit, të cilët po udhëheqin hetimet për të gjitha këto incidente për shkak të rrethanave të ngjashme dhe pretendimeve online për përgjegjësi.” (A2 Televizion)