
Kuvendi mblidhet sot në orën 10:00 në seancë plenare për të shqyrtuar në parim projektbuxhetin e vitit 2027 dhe paketën fiskale.
Në këtë seancë opozita do të jetë me një numër të reduktuar deputetësh, pas përjashtimit të 12 prej tyre. Në mesin e deputetëve të përjashtuar nga Partia Demokratike janë edhe kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, dhe sekretari i përgjithshëm, Flamur Noka.
Një ditë më parë, kryetari i PD-së, Sali Berisha, tha se ky është buxheti më antipopullor që godet bizneset dhe investimet e huaja. Ai deklaroi se demokratët do të votojnë kundër projektbuxhetit dhe paketës fiskale dhe tha se ato janë hartuar në fshehtësi dhe pa konsultim me qytetarët e biznesin.
"Ky buxhet paraqitet në Kuvend në mënyrën më tipike si buxhet i një narkoshteti. Është përgatitur në fshehtësinë më të madhe sikur të ishte dokumenti më sekret i shtetit, jo dokumenti me implikacione direkte, implikacione të mëdha në xhepat e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Asnjë konsultim siç parashikon ligji. Injorim total i qytetarëve, injorim total i biznesmenëve dhe vendosje e një pakete nga e cila përfiton një grusht njerëzish dhe ndëshkohen në një mënyrë apo në një tjetër qytetarët shqiptarë dhe bizneset shqiptare”, tha Berisha një ditë më parë.
Projektbuxheti i vitit 2027, pas miratimit në parim në Kuvend, do t’i rikthehet komisioneve parlamentare për shqyrtimin nen për nen, përpara se të kalojë sërish në seancë plenare për miratimin përfundimtar. (A2 Televizion)