
Teksa Uashingtoni edhe njëherë po përballet me pyetjen se sa larg Shtetet e Bashkuara duhet të shkojnë sa i përket mbështetjes për Ukrainën, një rezolutë e një shteti amerikan ka shtuar një zë të ri në gjithë këtë debat.
Senati Shtetëror i Havait i ka bërë thirrje presidentit Donald Trump, dhe Kongresit që t’i ofrojë Ukrainën armë të reja për të mbrojtur veten ndaj Rusisë dhe për të rimarrë territorin që, sipas ligjit ndërkombëtar, njihet si pjesë e Ukrainës.
Rezoluta 179 e Senatit u miratua në fillim të verës, me tre nga 25 senatorët e shtetit – të gjithë republikanë – që votuan kundër saj. Më pas, ajo iu përcoll zyrtarëve federalë dhe, në fillim të kësaj jave, u përfshi në Regjistrin e Kongresit si një rezolutë e legjislaturës së Havait dhe iu përcoll Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.
Rezoluta nuk është detyruese dhe nuk mund të diktojë politikën e jashtme të SHBA-së. Por, dërgimi i saj në Kongres vjen në një kohë kur mbështetja dypartiake për presion shtesë ndaj Rusisë po testohet sërish, përcjell A2.
Masa e Havait gjithashtu nuk mund të ndajë fonde, të urdhërojë dërgesa armësh apo të detyrojë Trumpin ose Kongresin të miratojë një politikë të caktuar. Rëndësia e saj qëndron te mesazhi që përcjell dhe te fakti se ajo iu dorëzua zyrtarisht zyrtarëve federalë.
Në qershor, Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së miratoi Aktin për Mbështetjen e Ukrainës, i cili autorizon më shumë se 1 miliard dollarë ndihmë, deri në 8 miliardë dollarë kredi për financim ushtarak, mbështetje për rindërtimin e Ukrainës dhe sanksione të reja ndaj Rusisë.
Masa u miratua me 226 vota për dhe 195 kundër, ndërsa 18 republikanë iu bashkuan demokratëve në mbështetje të aktit.
Në fund të korrikut, Senati votoi me shumicë dërrmuese për të çuar përpara një projektligj që synon zgjerimin e sanksioneve ndaj Rusisë dhe Iranit dhe që parasheh që Trumpi të ketë autoritet për të vendosur tarifa deri në 100 për qind ndaj blerësve të mëdhenj të naftës dhe gazit rus.
Në dritë të këtyre zhvillimeve, rezoluta e Havait tregon se mbështetja për Kievin po shprehet edhe përtej Uashingtonit, përfshirë nga ligjvënës të nivelit shtetëror, të cilët nuk kanë rol të drejtpërdrejtë në politikën e jashtme amerikane.
Rezoluta u paraqit fillimisht nga senatorët demokratë të shtetit, Karl Rhoads, Lorraine Inouye dhe Angus McKelvey. Rhoads, kryetar i Komitetit të Senatit për Gjyqësorin, ishte nismëtari kryesor i saj.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë më 12 gusht, Rhoads tha se mendonte se Havai nuk kishte folur mjaftueshëm fuqishëm në mbështetje të Ukrainës gjatë viteve të fundit.
“Nuk kanë mjaftueshëm raketa balistike”
Një nga shqetësimet e tij kryesore është mungesa e mbrojtjes ajrore në Ukrainë, veçanërisht e sistemeve të afta për të penguar raketat balistike. “Një nga problemet e mëdha me të cilat përballen ukrainasit në këtë pikë, sigurisht, është se nuk kanë mjaftueshëm raketa antibalistike për të mos lejuar që Kievi të goditet çdo natë”, tha Rhoads.
Këtë çështje e vuri në pah edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili tha gjatë një interviste për CNN më 12 gusht se Ukrainës i nevojiten të paktën 5 për qind e stokut aktual të SHBA-së me raketa penguese, Patriot, për të përballuar shtimin e sulmeve ruse me raketa balistike, ndërsa 10 për qind do të mjaftonin për të ndalur të gjitha sulmet ruse me raketa balistike.
Rezoluta thotë se ndihma amerikane e ka ndihmuar Ukrainën të mbrohet, të ndërmarrë kundërofensiva dhe të ofrojë ndihmë humanitare. Ajo bën thirrje për vazhdimin e furnizimit me armë për mbrojtjen e sovranitetit të Ukrainës dhe rimarrjen e territoreve që, sipas së drejtës ndërkombëtare, njihen si pjesë e Ukrainës.
Ajo gjithashtu i bën thirrje Trumpit të negociojë për tërheqjen e forcave ruse.
Thirrja e Rhoadsit për më shumë armë vjen në një kohë kur debati në Uashington është zhvendosur drejt kombinimit të ndihmës ushtarake dhe presionit ekonomik, që mund të ndryshojë rrjedhën e luftës.
Ai tha se Ukrainës i nevojiten sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore, të afta për të penguar raketat balistike, si dhe armë me rreze më të gjatë veprimi.
Rhoads gjithashtu mbrojti sulmet ukrainase ndaj objektivave që gjenden në thellësi të territorit të Rusisë, duke thënë se ato e kanë sjellë luftën “në shtëpi, në Rusi”.
“Mendoj se do të ishte ide e mirë që të kishte më shumë armë me rreze më të gjatë veprimi”, tha ai.
Ai pranoi se ka pabarazi mes Ukrainës dhe Rusisë, pasi kjo e fundit është shtet më i madh dhe ka marrë ndihmë ushtarake nga vende si Koreja e Veriut dhe Irani. Marrëdhënia e Kinës me Moskën, tha ai, e ka ndërlikuar më shumë situatën strategjike.
Rhoads tha se e inkurajon fakti që në Evropë po rritet ndërgjegjësimi se vendet evropiane duhet të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre. Ai përmendi anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO, pas nisjes së pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia.
“Mendoj se po e kuptojnë se duhet të luajnë një rol më të madh se deri tani”, theksoi ai.
Rhoads tha se shpreson që Evropa “të marrë përsipër barrën e mbetur”, por shtoi: “Ne vërtet duhet të bëjmë më shumë”.
Kopje të certifikuara iu dërguan Trumpit, drejtuesve të Kongresit, anëtarëve të delegacionit të Havait në Kongres dhe guvernatorit. Më pas, rezoluta u përfshi në Regjistrin e Kongresit dhe iu përcoll Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.
Rhoads tha se në Havai, njerëzit vazhdojnë të ketë përgjithësisht një qëndrim pro Ukrainës. Por, ai pranoi se vëmendja e publikut mund të zbehet.
“Të gjithë po vazhdojnë me jetën e tyre”, tha ai, duke vënë në pah se lufta ka zgjatur që disa vjet, ndërsa amerikanët përballen me shqetësime të tjera.
Rhoads tha se nuk ishte në dijeni të ndonjë sondazhi që do t’i mundësonte të krahasonte Havait me vendin në tërësi. Por, ai tha se hamendëson se ka qëndrim pro Ukrainës.
“Rusët e nisën këtë”
Rezoluta, pra, nuk është domosdo dëshmi e një vale të madhe presioni publik. Ajo tregon se disa ligjvënës të nivelit shtetëror ende duan që Uashingtoni të dëgjojë një argument që është bërë gjithnjë e më i kontestuar në nivel federal.
Mykola Murskyj, drejtor për avokim publik në Razom, një organizatë jofitimprurëse me bazë në SHBA që fokusohet tek Ukraina, i tha Radios Evropa e Lirë se veprimi i Havait pasqyron mbështetjen më të gjerë amerikane për Kievin.
“Pavarësisht asaj që mund të shohësh në lajme, amerikanët ende, në masë dërrmuese, mbështesin armët për mbrojtjen e Ukrainës dhe sanksionet ndaj Rusisë”, tha Murskyj.
Ai argumentoi se Ukraina mund ta mposhtë Rusinë nëse i jepen mjetet e nevojshme ushtarake dhe iu referua mbështetjes së publikut për armët dhe sanksionet.
Duke qenë se Havai ishte vendi i sulmit ndaj Pearl Harborit në vitin 1941, Murskyj iu referua gjithashtu përvojës së vetë këtij shteti me agresionin e huaj.
“Qytetarët e Havait dinë për sulmet e paprovokuara”, tha ai, duke argumentuar se SHBA-ja duhet të mësojë nga historia dhe t’i japë Ukrainës mjetet për t’i dhënë fund luftës së Rusisë.
Ashtu si Rhoads, në këtë kontekst, ai përmendi mbrojtjen ajrore.
Kjo thirrje vjen në një kohë kur Uashingtoni po shqyrton ndihmën ushtarake përballë masave ekonomike që synojnë Rusinë dhe të ardhurat e saj nga lufta. Për shembull, legjislacioni i Senatit për sanksionet synon të rrisë presionin ndaj të ardhurave të Rusisë nga energjia dhe burimeve të tjera të financimit.
Mesazhi i Havait, megjithatë, është më i drejtpërdrejtë: Ukrainës i duhen armë.
“Ukraina është një shtet i pavarur”, tha Rhoads. “Rusët e nisën këtë, jo ukrainasit”, shtoi ai./ REL (A2 Televizion)