“Le t'i mbajë Kurti të gjitha", Abdixhiku: Jemi në opozitë, heqim dorë nga çdo kërkesë

Nga Erjon Dervishi
13 Gusht 2026, 23:19 | Kosova

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas mbledhjes së grupit të deputetëve të kësaj partie, tha se ka vendosur të heq dorë nga çdo kërkesë, përfshirë edhe atë për president në funksion të zhbllokim të situatës. Abdixhiku këtë qëndrim e paraqiti në konferencë për media. Abdixhiku po ashtu tha se përgjigja e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit ishte ofertë për pjesëmarrje pa peshë e pa përgjegjësi.

Lëvizjes Vetëvendosje ia kemi njohur të drejtën për të udhëhequr Qeverinë dhe Kuvendin. Për LDK-në kemi propozuar përgjegjësinë e institucionit të presidentit, kështu në pikëpamjen tonë do të kishim dhe stabilitet institucional, qeverisje të qëndrueshme dhe promovim të vlerave demokratike. Ndarja e balancuar nuk ishte për të goditur njëri-tjetrin. Fatkeqësisht, përgjigja e saj nuk ishte ofertë partneriteti, ishte ofertë për pjesëmarrje pa peshë, për përgjegjësi pa ndikim dhe për prani dekorative. LDK-së i ishin ofruar vetëm tri ministri dhe zëvendëskryeministri. Për një grup parlamentar kjo përgjigje ishte disproporcionale. Nuk mund ta pranonim një ofertë të tillë, prandaj refuzuam. Refuzimi fatkeqësisht nxiti edhe betejën publike nga Lëvizja Vetëvendosje”, tha ai.

Kryetari i LDK-së theksoi se do të tërhiqen nga një marrëveshje politike dhe LDK nuk e do asnjë post shtetëror. Sipas tij, LDK është e gatshme të bisedojnë për zgjedhjen e një presidenti të Republikës së Kosovës, një president që i takon popullit e jo një partie.

Ne nuk do të lejojmë që fati i Republikës të lidhet me kërkesa tona. Prandaj, për të çliruar procesin dhe për të hapur rrugë zgjidhjes në interes shtetërorë, LDK tërhiqet nga çdo kërkesë për pozita dhe merr përsipër të kontribuojmë pa asnjë përfitim politik. LDK heq dorë për çdo kërkesë për pjesëmarrje në qeveri, le t’i mbajë të gjitha Lëvizja Vetëvendosje, heqim dorë për kryetar të Kuvendit. Heqim dorë edhe nga kërkesa për të udhëhequr postin e presidentit. Meqë LVV po vlerëson se nuk ka nevojë për LDK si partnere, atëherë nuk do ta ketë LDK-në. Në rrethana të tilla ne do qëndrojmë opozitë. Pavarësisht këtij qëndrimi nuk do ta shndërroj në bllokadë, jemi të gatshëm të bisedojmë për zgjedhjen e një presidenti. Për këtë kontribut, LDK nuk kërkon asnjë pozitë. Le ta zgjedhim të gjithë bashkë presidentin që mbron Republikën dhe Kushtetutën”, tha ai.

Abdixhiku tha se seanca konstituive e Kuvendit duhet të thirret sa më parë, duke shtuar se tash Lëvizja Vetëvendosje e ka përgjigjen e LDK-së.

Nga ky moment zgjedhja është e qartë. LVV mund të zgjedh stabilitetin institucional përmes një presidenti që e zgjedhim bashkërisht dhe të qeverisë me shumicën e vet ose të dërgoj vendin drejt një krize të re, përplasje shumë më të rëndë vetëm se nuk pranon kompromis. Nuk ka asnjë nevojë të vonojë në konstituimin e Kuvendit të Kosovës, le ta thërrasin menjëherë seancën konstituive. LDK ka bërë zgjedhjen e vet, kemi zgjedhur republikën para pozitave”, tha Abdixhiku.

Kjo deklaratë e kryetarit të LDK-së erdhi pas disa takimeve me kryetarin e LVV-së Albin Kurti. Abdixhiku kishte kërkuar për LDK-në pozitën e presidentit, por që nuk ishte pranuar nga Kurti. PDK dhe Aleanca kanë kërkuar që nesër të thirret seanca konstituive e Kuvendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos